17:21 / E Premte, 04 Tetor 2019 / indeksADMonline

Mos e humbni rastin të dielën!

Këtë të dielë zgjedhim deputetët që do të na përfaqësojnë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ka shumë peshë vota e secilit me 6 tetor. E drejta për të votuar, duhet të shfrytëzohet masivisht, për t’i dhënë legjitimitetin e duhur procesit. Por, kënd duhet ta votojmë? Ka parti që nuk u zihet fort besë, liderë që e tradhtojnë besimin e votuesve, megjithatë në listat e subjekteve në garë, ka plot kandidatë me integritet që e meritojnë votën.

Është fare e qartë se ata iu janë bashkuar partive, me shpresën se do të ketë ndryshime. Shpesh, nuk ndodh kështu, sepse në Kuvend mbërrijnë njerëz që nuk e meritojnë. Pastaj është ky soj përfaqësuesish që e mundëson qeverinë e pazareve dhe jo qeverinë në shërbim të vendit. Prandaj, mbështetja e kandidatëve seriozë, është vendimtare.

Është e rëndësishme se cila parti del e para, por ajo që vlen shumë është cilësia që do ta ketë legjislatura e re. Ata do ta zgjedhin ekzekutivin e ri, kryeministrin e ardhshëm dhe ekipin e tij. Këto janë zgjedhje parlamentare, ku sovrani vendos se kush do ta përfaqësojë në mandatin e ri.

Në secilën listë gjen njerëz të zotë, të dëshmuar, profesionistë, të dinjitetshëm, humanistë. Partitë para zgjedhjeve i hapin dyert për ta, sepse me emrin e tyre fitojnë vota. Por, në zgjedhjet e kaluara, në mesin e fituesve, kjo kategori ishte pakica. Shumicën e përbënin jomeritorët, servilët, militantët apo të afërmit e liderëve.

Si rrjedhojë edhe vendimmarrja, qeverisja dhe demokracia në përgjithësi, u godit keq. Zbehja e zërit përfaqësues, e cenon interesin publik dhe forcon korrupsionin politik.

Në këto zgjedhje, janë dy zgjidhje përpara. Votuesit mund të zgjedhin përfaqësuesit më të mirë e të ndëshkojnë politikanët që abuzuan me besimin e popullit. Zgjidhja tjetër është vazhdimi i kësaj gjendjeje të rëndë, të krijuar për shkak të keqqeverisjeve të njëpasnjëshme.

Beteja për vota është gjithnjë e ashpër, më e fortë mes vetë kandidatëve brenda një partie, sesa mes subjekteve rivale. Jo pak njerëz, për shkak të kushteve sociale, nuk ngurrojnë ta trafikojnë votën e tyre. Plot të tjerë, për interesa të ngushta, e orientojnë votën për llogari të politikanëve mashtrues.

Është fatkeqësi që vota të mos e jetë e lirë dhe e vullnetshme. Është tragjedi kur ajo vidhet dhe keqpërdoret. Në zgjedhjet e Kosovës, të gjitha këto ndodhin dhe çka mund të shmanget, janë përmasat e këtij rreziku.
Sidoqoftë, me 6 tetor, mekanizmi kryesor i Republikës, është në duart e sovranit. Në këtë njëzetvjetor të çlirimit, nuk ka mbetur njeri pa u bindur se kush është i miri e kush i keqi, cilët bëjnë e cilët nuk vyejnë asgjë, cila parti meriton opozitën e kush do të duhet ta udhëhiqte qeverinë e re.

Kjo është votë që vendos për së paku 10 miliardë euro buxhet në katër vitet e ardhshme. Prandaj as mund të shitet, as të falet, as të keqpërdoret. Të shkojë aty ku është shpresa për ndryshim. Te njerëzit e duhur.

Me 6 tetor, njerëzit e këtij vendi, mund t’u tregojnë politikanëve milionerë se kjo është Republika e qytetarëve të lirë e jo prona e disa liderëve, tekat dhe skandalet e të cilëve, kanë shkaktuar largimin e 280 mijë kosovarëve viteve të fundit e shumë dëme të tjera.

Kjo e dielë, mund të shënojë një kthesë të madhe. Mos ta humbim rastin!

AUTOR: Prof. Asoc. Elmaze Nura