75 Mall Live Search
13:51 / E Shtunë, 16 Mars 2019 / indeksADMonline

“Mos humbni kohë me dialogun në Serbi, kthehuni te serbët e Kosovës”

 Qeveria e Kosovës në vend se të humb kohë me dialogun me Beogradin duhet të fokusohet në dialogun me serbët e Kosovës, përcjellë Indeksonline.

Kështu deklaroi, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari, në një konferencë për media.

“Qeveria e Kosovës, në vend se të humb tani kohë dhe energji me dialogun dhe mekanizmat jo funksional të dialogut aktual me Beogradin, duhet urgjentisht të vendos mekanizmin për dialogun me serbët e Kosovës”.

Ajo tha se liderët shtetëror përveç vizitës në veri duhet edhe të nisin punimet atje me vizion dhe guxim.

 “Nëse udhëheqësit Kosovarë e duan Kosovën në këta kufi, ata duhet menjëherë të fillojnë planet dhe aksionin për integrimin e veriut. Integrimi i veriut nuk ndodh me vizita të forcave ROSU dhe aksione disa orëshe atje. Integrimi i veriut ndodh me ndërtim të besimit, me ofrim të mundësive reale për integrim, me projekte konkrete dhe me tregim të gatishmërisë për të marrë përgjegjësinë që i takon shtetit për qytetarët e saj pa dallim etnie, feje dhe race. Është koha e fundit për dialog të mirëfilltë ndëretnik brenda Kosovës. Nëse e duam veriun e vendit si pjesë të Kosovës, koha është edhe ta trajtojmë si të tillë. Kryeministri, Presidenti dhe zyrtarët shtetërorë duhet të jenë ata që jo vetëm vizitojnë veriun, por edhe përurojnë projekte, nisin punime dhe veprojnë me vizion dhe guxim”, deklaroi Kusari-Lila.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë nga konferenca e Alternativës:

Qeverisja aktuale në Kosovë, ka humbur ndjenjën me realitetin i cili po ndodhë në Kosovë. Derisa çdo ditë synohet të mbulohen punësimet me nepotizëm, ushtrimi i ndikimit, konflikti i interesit në vendime për përfitime personale, me temën e dialogut me Serbinë, në Kosovë po zgjerohet hendeku i ndarjes dhe humbjes së ndikimit të Prishtinës, në katër komunat e veriut të vendit.

Që nga data 27 Nëntor, kur janë mbajtur mbledhjet e fundit të asambleve komunale, në katër komunat e veriut. Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, nuk janë mbajtur mbledhje të asamblesë komunale dhe katër Kryetarët e komunave kanë dhënë dorëheqje pranë institucioneve të “Kosovës dhe Metohisë” siç janë deklaruar ata në letrat e veta.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, në shkelje të plotë të kompetencave të veta, nuk është deklaruar për rastin, përveç se, nuk e pranon si zyrtare komunikimin e katër Kryetarëve pasi ata i janë drejtuar institucioneve të Kosovës me emrin jo kushtetues.

Megjithatë, presendani i vendosur më herët, në rastin e Kryetarit të Rahovecit, z. Qazim Qeska,

Rasti Nr. KO 80/10

Kërkesa e Presidentit të Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë se tij, Dr. Fatmir Sejdiu, për sqarim të kompetencave në rastin e kryetarit të Rahovecit, z. Qazim Qeska me pyetjen:

“Cili institucion i Republikës së Kosovës është përgjegjës për të vlerësuar efektshmerinë dhe validitetin e dorëheqjes dhe për të konstatuar përfundimin eventual të mandatit të kryetarit të një komune në bazë të një komunikate drejtuar qytetareve, paqartësia e të cilës ia bën të pamundur Presidentit veprimin e mëtejshëm në përputhje me parimin kushtetues për zgjedhje të lira dhe të barabarta?”

Në mesin e tjerave, Gjykata ka vendosur:

I. Kërkesa është e pranueshme.

II. Dorëheqja e cilitdo kryetar komune është përfundimtare dhe definitive dhe i jep fund mandatit të kryetarit të komunës .

III. Pasojat kushtetuese të veprimit të tillë janë shpallja e zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës për të siguruar që qytetarët gëzojnë të drejten për zgjedhje të lira dhe të barabarta në themelimin e vetëqeverisjes se tyre lokale.

Në rastin konkret, nëse dorëheqja e Kryetarëve nuk është pranuar, Zyra e Kryeministrit të Kosovës është dashur të ndërmarrë masat për të zbatuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës:

Kushtetuta e Republikës së Kosovës:

1. Neni 124, pika 6: Komunat obligohen të respektojnë Kushtetutën, ligjet, dhe të zbatojnë̈ vendimet gjyqësore.

Pika 7: Rishikimi administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjin.

Në cilindo rast, Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës kanë treguar mungesë totale të përgjithësisë ndaj situatës në katër komunat e veriut.

Përderisa Kryeministri çdo ditë me taksë “PARANDALON” ndarjen e Kosovës, ai me veprime po e lehtëson DE FACTO krijimin e një realiteti i cili ka filluar shumë vite më parë dhe tani me situatën aktuale vetëm se e thellon hendekun e ndarjes.

ALTERNATIVA Propozon:

1. Komunikimi me popullatën në katër komunat e veriut duhet filluar MENJËHERË. Nuk është Milan Radojqiq përfaqësues i serbëve të Kosovës, në të kundërtën, ai ka qenë frikë mbjellësi i serbëve, shqiptarëve dhe të gjitha komuniteteve tjera të cilat jetojnë në Veri. Qeveria e Kosovës, në vend se të humb tani kohë dhe energji me dialogun dhe mekanizmat jo funksional të dialogut aktual me Beogradin, duhet urgjentisht të vendos mekanizmin për dialogun me serbët e Kosovës.

2. Përfaqësimi i serbëve të Kosovës përmes listës Serbe duket se ka dëmtuar thellë interesat e tyre dhe ka krijuar një bypass në komunikim me ta, përmes Beogradit. Alternativa i kërkon, Qeverisë së Republikës së Kosovës, të fillojë procesin e dialogut të brendshëm dhe të marrë masat si vijon:

3. Sqarojë sa më parë situatën e Kryetarëve të dorëhequr në katër komunat e Veriut dhe ndërmerre masat adekuate për kthimin e normalitetit institucional

4. Krijojë planin e punës për projekte konkrete në katër komunat e veriut dhe ti prezantojë ato në një plan aksional me afate para donatorëve në Kosovë

5. Ri-shikojë buxhetin e investimeve kapitale për katër komunat dhe të përgatis ri-alokimin e projekteve të reja pasi alokimet me buxhetin e vitit 2019 për këto katër komuna janë dukshëm më të vogla se përqindjet e investimeve kapitale në komunat tjera

6. Qeveria e Republikës së Kosovës NUK GUXON në këtë fazë të lejojë që realiteti i krijuar në këto komuna të definojë edhe realitetin e ri juridik, i cili mund të jetë shumë e lehtë shkëputja e katër komunave nga territori i Republikës së Kosovës.

7. Angazhimi për katër komunat me shumicë serbe në veri duhet të përcjellët me kërkesat e vazhdueshme karshi faktorit ndërkombëtar për ngritjen e buxhetit, ngritjen e investimeve dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Alternativa konsideron se e vetmja mënyrë për të parandaluar ndarjen në baza etnike dhe ridefinimin e kufinjëve është përmes angazhimit të menjëhershëm me serbët e Kosovës dhe fillimin e një faze të re të dialogut dhe ndërtimit të besimit në mes të komuniteteve. Përderisa është zhvilluar “lufta” përmes statusave dhe akademive përkujtimore në mes të Presidentit i cili edhe prej rolit të tij si

Kryeministër nuk u angazhua fare për integrimin e Veriut dhe Kryeministrit Haradinaj i cili e vazhdoi me devotshmëri mos angazhimin paraprak për Veriun e vendit, Serbia ka trumbetuar propagandën e tyre, se Serbët e Kosovës janë në mëshirë të pamëshirshmëve.

Nëse udhëheqësit Kosovarë e duan Kosovën në këta kufi, ata duhet menjëherë të fillojnë planet dhe aksionin për integrimin e veriut. Integrimi i veriut nuk ndodh me vizita të forcave ROSU dhe aksione disa orëshe atje. Integrimi i veriut ndodh me ndërtim të besimit, me ofrim të mundësive reale për integrim, me projekte konkrete dhe me tregim të gatishmërisë për të marrë përgjegjësinë që i takon shtetit për qytetarët e saj pa dallim etnie, feje dhe race.

Është koha e fundit për dialog të mirëfilltë ndëretnik brenda Kosovës.

Nëse e duam veriun e vendit si pjesë të Kosovës, koha është edhe ta trajtojmë si të tillë.

Kryeministri, Presidenti dhe zyrtarët shtetërorë duhet të jenë ata që jo vetëm vizitojnë veriun, por edhe përurojnë projekte, nisin punime dhe veprojnë me vizion dhe guxim.

ALTERNATIVA PËR DIALOGUN

Alternativa, sikurse të gjitha subjektet tjera politike dhe institucionet shtetërore është për dialog të Kosovës me Serbinë në kontekst të relaksimit të raporteve ndërshtetërorë, por në dallim nga disa të tjerë, është kategorisht kundër hapjes së bisedimeve rreth tërësisë territoriale të Kosovës

Ekipi Negociator: Alternativa, është subjekti i parë që e ka potencuar domosdoshmërinë e formimit të një ekipi negociator gjithëpërfshirës, por jo si të tillë çfarë është formuar, meqenëse ekipi aktual nuk e përfaqëson në mënyrë të drejtë votën dhe zërin e qytetarëve sipas zgjedhjeve të vitit 2017. Në ekip përfaqësohen vetëm 33% të votuesve të Kosovës e jashtë këtij ekipi kanë mbetur mbi 53% të elektoratit të Kosovës!

Taksa: Alternativa, ka qenë dhe mbetet pro vendosjes së taksës në produktet serbe, por me ndryshimin e rrethanave rreth kësaj take…Alternativa kërkon që taksa të trajtohet si mekanizëm në mbrojtjen e interesave shtetërorë të Kosovës dhe si e tillë edhe të përmbyllet me vazhdimin e reciprocitetit.

Zgjedhjet: Alternativa, kërkon shpalljen e Zgjedhjeve të Përgjithshme, jo vetëm për shkak të mosfunksionimit adekuat të institucioneve më të larta shtetërorë por edhe për faktin se po dëshmohet se estabilishmenti aktual institucional shtetëror nuk ka kapacitet të mjaftueshëm intelektual e profesional të ballafaqohet suksesshëm me sfidat që po i parashtrohen shtetit në ketë faze të zhvillimit dhe funksionimit të saj./Indeksonline/