75 Mall Live Search
11:36 / E Mërkurë, 18 Janar 2023 / shkelqim osmanaj

“Mos i thuaj asgjë mamasë…”/ Protestat në Iran, i riu kishte 15 minuta për t’u mbrojtur kundër dënimit me vdekje, babai i tij rrëfim rrëqethës

Katër të rinj janë ekzekutuar në lidhje me protestat mbarëkombëtare që shpërthyen në Iran katër muaj më parë, ndërsa 18 të tjerë janë dënuar me vdekje. Grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se personat janë dënuar pas gjyqeve të padrejta.

Mohammad Mehdi Karami, një kampion 22-vjeçar i karatesë, u var më 7 janar, vetëm 65 ditë pas arrestimit të tij.

Burimet i thanë BBC se ai kishte më pak se 15 minuta për të mbrojtur veten në gjykatë.

Historia e tij tregon se si autoritetet në Iran po përdorin frikën për të trembur protestuesit të cilët kërkojnë lirinë dhe fundin e regjimit.

Protestat e fuqishme filluan pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini, një gruaje 22-vjeçare e cila u ndalua nga policia në shtator nën akuzën se nuk mbante shaminë e detyrueshme.

Të paktën 481 protestues janë vrarë nga forcat e sigurisë, sipas Iranit Human Rights, një organizatë joqeveritare me bazë në Norvegji.

Mohammad Mehdi Karami u arrestua në lidhje me vrasjen e një anëtari të forcës paraushtarake Basij gjatë protestave në qytetin Karaj, në perëndim të Teheranit, më 3 nëntor.