“Mos kaloni nga Serbia, nuk ka kush ju del zot” – Syla për arrestimet e shqiptarëve
Një shtetas shqiptar është arrestuar në pikën kufitare Merdar gjatë ditës së enjte, pasi në veturën e tij është gjetur një flamur me shenjat e UÇK-së.
E lidhur me këtë, nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, sidomos ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mos kalojnë kah Serbia, por të zgjedhin rrugë alternative.
Sipas tij, Serbia është po e njëjta dhe lufta speciale ndaj popullit të Kosovës nuk është ndalur.
“Serbia, edhe pas luftës që e kemi pasur, asnjëherë nuk e ka ndalur luftën speciale ndaj ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe ndaj qytetarëve të tjerë, prandaj kjo Serbi është e njëjta. Në atë kohë Serbinë e ka udhëhequr Millosheviqi, tani një ish-ministër i tij, pra zotëri Vuçiqi. Nuk presim të ketë ndryshime, ose me na respektu më shumë, sepse e kemi parasysh sa po i respekton qytetarët e vet atje”, tha Syla.
“Ne bëjmë thirrje, edhe pse kemi bërë shpesh thirrje, por vazhdojmë të bëjmë thirrje, mos provoni të kaloni andej, sidomos ushtarëve të UÇK-së, sepse nuk ka kush t’ju dalë zot, nuk ka kush t’ju bie pas, prandaj zgjidhni alternativa të tjera, e jo nga Serbia, sepse ajo është e njëjta”, u shpreh ai./Indeksonline/

