14:34 / E Mërkurë, 24 Prill 2019 / indeksADMonline

Moscertifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet në veri, Gjuriq paralajmëron masa

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme nuk ka certifikuar kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e 19 majit në katër komunat veriore.

Ndaj kësaj ka reaguar drejtori i zyrës serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke thënë se ‘ndalimi’ i përfaqësuesve të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës është një akt me të cilin shfuqizohen të gjitha të drejtat politike për serbët.

“Pjesëmarrja e mëtejshme e serbëve në çdo institucion të Prishtinës dhe proceset politike të organizuara nga Prishtina pas një akti të tillë bëhet i pakuptimtë”, ka thënë Gjuriqi në një njoftim për mediat serbe, transmeton Indeksonline.

Ai ka paralajmëruar se do të zhvillojnë konsultime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me Qeverinë por edhe me Serbët e Kosovës dhe së bashku do të marrin vendimin për hapat e ardhshëm.

Në njoftim thuhet se “përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ sot kanë prezantuar masat e ndarjes kombëtare ndaj serbëve, të cilëve edhe formalisht u është marrë statusi i qenieve të lira njerëzore në Kosovën e vetëshpallur. Serbia nuk do t’ua mohojë të drejtat qytetare dhe politike shqiptarëve, sepse me kësi çmendurie dhe papërgjegjësie të Prishtinës s’guxon dhe s’duhet të veprojë me reciprocitet”.

Gjuriqi ka vlerësuar se është e pabesueshme që gjëra të këtilla ndodhin para syve të bashkësisë ndërkombëtare. /Indeksonline/