75 Mall Live Search
13:34 / E Shtunë, 06 Nëntor 2021 / A. M.

“Mosftesa për Kosovën në Samitin për Demokraci mund të lidhet me politikën e jashtme dhe sigurinë”, thotë Maliqi!

Analisti politik, Agon Maliqi, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, duhet dhënë sqarime pse Kosova nuk ishte në listën e shteteve pjesëmarrëse në Samitin për Demokraci, të iniciuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Maliqi ka shkruar se Kosova nuk u ftua në nismën për t’iu kundërvënë kërcënimit të regjimeve autoritare si Kina dhe Rusia, duke shtuar se SHBA-ja po e sheh Kosovën “si pjesë e një klubi joprestigjioz autokratësh anti-perëndimorë bashkë me Vuçiqin, Dodikun, Lukashenkon, Orbanin e Erdoganin”.

“Jam i bindur se nuk duhet të ketë qenë e lehtë për SHBA-të për t’ia bërë këtë gjë shtetit të cilin kanë ndihmuar ta krijojnë. Kështu që këtu duhet të jetë një problem shumë i madh për të cilin liderët tanë duhet t’i kenë marrë sinjalet prej kohësh, sepse kjo shuplakë nuk vjen si vërejtja e parë”, ka shkruar ai në Facebook, derisa ka shtuar se mosftesa për Kosovën nuk mund të jetë e lidhur me demokracinë e brendshme, por me atë të jashtme dhe të sigurisë.

“Ky kategorizim i Kosovës nuk mund të jetë i ndërlidhur me demokracinë e brendshme, ku jemi më mirë se rajoni, por me politikën e jashtme dhe të sigurisë. E përbashkëta e këtyre liderëve autoritarë të përmendur më sipër është se janë liderë të cilët jo vetëm që nuk e kanë politikën e jashtme të përputhur me SHBA, por aktivisht luftojnë kundër interesave të saj dhe të sigurisë evropiane. Çka po lypë Kosova në këtë grup”, thuhet tutje.

Ambasada e Amerikës në Kosovë ka konfirmuar se Kosova nuk është ftuar në Samitin për Demokraci, që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të premten, mediumi prestigjioz amerikan “Politico” publikoi listën e 100 shteteve pjesëmarrëse në këtë samit. Aty nuk figuroi Kosova. Tash Ambasada e Amerikës në Kosovë ka dhënë arsyet se përse Kosova është lënë jashtë këtij samiti.

“Samiti për Demokraci i Presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”, thuhet në njoftim.