Mosfunksionalizimi i bordit të ankesave po u sjell telashe bizneseve

Me 29 korrik të këtij viti, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njoftoi shoqëritë tregtare se mund të dorëzojnë ankesat ndaj vendimeve të shkallës së dytë të lëshuara nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës në mekanizmin e veçantë për trajtimin e tyre.
Ata thanë se ky mekanizëm do t’i trajtojë ankesat e palëve brenda 30 ditëve dhe synon të kursejë palët nga procedurat gjyqësore që mund të zgjasin më shumë.
Mirëpo pavarësisht këtij njoftimi, bordi nuk u funksionalizua as sot e kësaj dite e qe kjo vonesë ka ndikuar edhe në rritjen e kostove për bizneset, për shkak të pamundësisë për të vazhduar aktivitetet e tyre, transmeton IndeksOnline.
Sipas Ligjit për administrimin e procedurave tatimore, është obligim ligjor formimi i këtij bordi, i cili duhet të përbëhet nga një kryesues dhe tetë anëtarë për një mandat prej katër vjetësh, me mundësi vazhdimi për një mandat të dytë.
Në Ligjin për administrimin e procedurave tatimore, në nenin 61 që flet për bordin e ankesave thuhet se: Me këtë ligj themelohet bordi i ankesave në ministri për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve të nxjerra nga njësia e ankesave në ATK dhe DK lidhur me çështjet tatimore dhe doganore.
Bordi përbëhet prej një (1) kryesuesi dhe tetë (8) anëtarëve, të cilët emërohen për një mandat prej katër (4) vjetëve, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat të dytë.
Anëtarët e bordit emërohen nga ministri pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes sipas kritereve të parapara me këtë ligj nëpërmjet shpalljes publike./IndeksOnline/

