Mosha e babait mund të rrisë rrezikun për autizëm te fëmijët
Mosha e babait para ngjizjes mund të ndikojë në rrezikun për autizëm te fëmijët, dhe një studim i ri shkencor ofron shpjegime të reja se si mund të ndodhë kjo, përmes ndryshimeve biologjike në spermë.
Prej vitesh, studimet kanë treguar se fëmijët e lindur nga baballarë më të moshuar kanë rrezik pak më të lartë për t’u diagnostikuar me çrregullime të spektrit të autizmit. Megjithatë, mekanizmi biologjik në lidhje me këtë ka mbetur i paqartë.
Sipas një studimi të ri në fushën e epigjenetikës, me rritjen e moshës së burrave ndodhin ndryshime të vogla, por të matshme, në mënyrën se si funksionojnë disa gjene në spermë, sidomos pranë gjeneve që lidhen me zhvillimin e hershëm të trurit dhe me autizmin, ka raportuar TechnologyNetworks.
Epigjenetika lidhet me shenja kimike që ndikojnë në sjelljen e gjeneve pa ndryshuar vetë ADN-në.
Një nga këto shenja quhet metilimi i ADN-së. Këto shenja janë shumë të rëndësishme në fazat e para të jetës, sepse ndihmojnë në drejtimin e zhvillimit të organizmit.
Në spermë, këto shenja epigjenetike rivendosen gjatë formimit të qelizave, gjë që i bën ato veçanërisht të ndjeshme ndaj moshës dhe faktorëve të mjedisit.
Autorët e studimit në raport kanë theksuar se shumica e studimeve të mëparshme mbi spermën dhe moshën “nuk ishin të dizajnuara për të identifikuar qartë gjenet që lidhen me trashëgiminë ose shëndetin e fëmijëve”, duke e bërë interpretimin e rezultateve më të vështirë.
Studimi i ri ka analizuar spermën e 63 burrave të shëndetshëm, jo-duhanpirës, të moshës 18 deri në 35 vjeç. Studiuesit kanë matur ndryshimet në rreth 450 mijë pika të ADN-së dhe panë se si këto ndryshime lidhen me moshën.
Rezultatet kanë treguar se në më shumë se 14 mijë pika të ADN-së, niveli i metilimit ndryshonte me rritjen e moshës, zakonisht duke u ulur gradualisht. Edhe pse këto ndryshime ishin të vogla, ato ishin të qëndrueshme dhe shpesh ndodheshin pranë zonave të ADN-së që kontrollojnë zhvillimin e hershëm të trurit.
Disa nga këto zona lidhen me gjene që, në studime të mëparshme, janë përfshirë në autizëm dhe në komunikimin mes qelizave nervore.
Studiuesit kanë theksuar se këto gjetje nuk nënkuptojnë se një baba më i moshuar do të ketë patjetër një fëmijë me autizëm.
“Ndryshimet e matura në metilimin e ADN-së ishin të vogla, por edhe shqetësime shumë të vogla epigjenetike në spermë mund të kenë rëndësi në nivel popullate, sidomos nëse burrat vazhdojnë të bëhen prindër gjithnjë e më vonë”, thuhet se raportin e studimit.
Ata kanë sqaruar se këto ndryshime nuk parashikojnë autizmin te individë të veçantë, por mund të ndikojnë lehtë në rritjen e rrezikut në shkallë më të gjerë.
Studimi ka edhe kufizime pasi nuk përfshin burra mbi 35 vjeç, ani se rreziku për autizëm rritet më shumë pas kësaj moshe.
Po ashtu, nuk ka të dhëna nga fëmijët, ndaj nuk mund të vërtetohet drejtpërdrejt se këto ndryshime kalojnë te brezi tjetër apo ndikojnë me të vërtetë në zhvillim.
Megjithatë, studiuesit e shohin këtë punë si pikënisje të rëndësishme.

