Mosmarrëveshja për ulësen, familja 4-anëtarëshe nxirret me polici nga avioni
Një familje braziliane u shoqërua nga policia jashtë një fluturimi të Air France, pasi u përfshi në një konflikt me stafin e linjës ajrore lidhur me një ulëse në klasën e biznesit, shkruan Daily Mail- transmeton IndeksOnline.
Biznesmeni brazilian Ivan Lopes, bashkëshortja e tij dhe dy vajzat e tyre Bruna Lopes, 26 vjeçe dhe vajza tjetër 11-vjeçare u nxorën nga fluturimi i datës 14 janar nga Parisi për në Salvador të Brazilit. Incidenti ndodhi pasi kompania ajrore tentoi ta zhvendoste Bruna Lopesin nga klasa e biznesit në premium economy.
Sipas raportimeve të Aeroin-it, Bruna ishte caktuar të ulej në ulësen 7L, por kur hipi në avion, gjeti një pasagjer tjetër të ulur aty. Stafi i shpjegoi se një ulëse tjetër në klasën e biznesit ishte e dëmtuar dhe nuk mund të shndërrohej në shtrat, ndaj pasagjeri tjetër – i cili kishte paguar çmimin e plotë të biletës – kishte përparësi ndaj Bruna Lopes, e cila kishte paguar rreth 1,900 dollarë për përmirësimin e biletës ditën e nisjes.
Në seksionin e klasës së biznesit, që përbëhej nga 28 vende, nuk kishte ulëse të tjera të lira. Tre anëtarët e tjerë të familjes u lejuan të qëndronin në klasën e biznesit, por tensionet u përshkallëzuan për shkak të zhvendosjes së Bruna Lopes. Një pjesë e debatit u regjistrua në video.
Në pamje dëgjohet një anëtar i ekuipazhit duke u thënë: “Kjo është thirrja e fundit për ju. Nëse jua them edhe një herë, do të thërras policinë.”
Familja dëgjohet duke thënë se dëshira e tyre e vetme ishte të ktheheshin në Brazil, ndërsa personi që i kërcënoi u largua nga avioni.
Sipas Air France, familjes iu ofrua mundësia që të gjithë të uleshin në premium economy ose të qëndronin të ndarë në vende të ndryshme. Kompania pretendon se familja pranoi të ulej veçmas, por më pas filloi të sillej në mënyrë të papërshtatshme ndaj stafit gjatë qëndrimit në avion.
Një anëtare e ekuipazhit kërkoi kartat e imbarkimit ndërsa një familjar po filmonte. Ajo iu tha prerë: “Nuk filmoni asgjë. Nuk ju lejohet të filmoni”, ndërsa largohej nga avioni me kartat e tyre.
Ivan Lopes i tha BNeës se kapiteni hyri në avion duke bërtitur dhe duke u sjellë në mënyrë fyese, duke këmbëngulur se nuk kishte zgjidhje tjetër përveç zhvendosjes së vajzës së tij. Ai pretendon se kapiteni e preku fizikisht dhe e kërcënoi se ose do të qëndronte i heshtur ose do të largohej nga avioni.
Air France i tha Aeroin se incidenti kishte nisur që në portën e imbarkimit dhe se familja ishte informuar paraprakisht se Bruna Lopes nuk mund të qëndronte në ulësen e klasës së biznesit. Kapiteni vendosi që të katër pasagjerët të largoheshin nga fluturimi, çka çoi në ndërhyrjen e policisë.
Pas zbritjes nga avioni, kompania ajrore i ofroi familjes një fluturim alternativ, por sipas Ivan Lopes, me këshillën e avokatit të tij, familja udhëtoi me një linjë tjetër ajrore dhe mbërriti në Salvador një ditë më vonë.
Ivan Lopes ka paralajmëruar se do të padisë Air France për dëme emocionale dhe humbje financiare të vlerësuara rreth 100 mijë realë brazilianë, ose afërsisht 20 mijë dollarë amerikanë.
Daily Mail ka kërkuar koment nga Air France lidhur me rastin.

