75 Mall Live Search
16:55 / E Diele, 28 Prill 2019 / indeksADMonline

Mosmarrëveshje ndërmjet Francës dhe Gjermanisë në prag të Samitit të Berlinit

Një prej qëllimeve kryesore të Samitit të Berlinit është përpjekja për të harmonizuar qëndrimet e shteteve të Ballkanit Perëndimor për shumë çështje të hapura ndërshtetërore.

Por, duket se mosmarrëveshje deri para dy ditësh kishin edhe vetë nikoqirët, dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian. Kancelarja Angela Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron, përkundër miqësisë së mirë që kanë me njëri-tjetrin, kanë mospajtime të mëdha rreth Bashkimit Evropian.

Delegacionet nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, javë më parë kishin marrë ftesë nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Ndërsa, ftesa nga presidenti Macron, ka ardhur vetëm tri ditë para se të filloj ky samit, raporton Indeksonline nga Berlini.

Këto mosmarrëveshje të tyre mësohet se ndërlidhen drejtpërdrejt me zgjedhjet evropiane, ku në Francë ka një rritje të madhe të ekstremit të djathtë, i cili mund t’ia rrezikojë karrigen presidentit aktual Emmanuel Macron.

Edhe më tutje Franca po e kundërshton perspektiven e shpejt të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, kurse së fundmi duket se është edhe penguesja më e madhe e liberalizmit të vizave. Po ashtu, Gjermania dhe Franca kanë mospajtime edhe rreth procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë çështje, Franca njihet si përkrahëse e idesë së korrigjimit të kufijve, e cila alternativë mbështetet nga SHBA-ja, kurse Gjermania është kundër kësaj ideje për shkak të frikës së përhapjes së saj edhe në vendet e tjera, përkatësisht në Bosnje e Hercegovinë. /Indeksonline/