16:35 / E Mërkurë, 16 Gusht 2023 / S Z

ZKA: Mosmenaxhimi i projekteve të Teknologjisë së Informacionit në Institutin Bujqësor shkaktoi shpenzime të panevojshme

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Menaxhimi i sistemeve të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës” për periudhën 2017-2022. Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Instituti Bujqësor i Kosovës nuk menaxhoi si duhet resurset dhe proceset e zhvillimit të projekteve të Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit për të përmbushur qëllimin për digjitalizimin e tyre.


Ministria dhe Instituti nuk ishin efektivë dhe nuk menaxhuan si duhet projektet e Teknologjisë së Informacionit, me vlerë të përgjithshme prej 700,766 euro, duke mos përfshirë profesionistët e TI-së në planifikimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve.
Dy sisteme të ndara në vlerë prej 567,406 euro ishin zhvilluar për të njëjtin qëllim, por pavarësisht shpenzimeve këto sisteme nuk janë duke u përdorur. Për më tepër, auditori ka vërejtur se kishte rritje të trefishtë të vlerës së kostos totale krahasuar me vlerën e planifikuar. Struktura e TI-së mbeti e papërcaktuar dhe rregulloret për organizimin e brendshëm, rolin dhe funksionimin e IBK-së nuk u përditësuan.

Për shkak të mungesës së planifikimit të duhur të investimeve, në kuadër të kontratave të ekzaminuara janë bërë shpenzimet e panevojshme prej së paku 98,000 euro.


Më tutje, auditimi konstatoi se Instituti ka mangësi në menaxhimin e kontratave, mungesë të komisioneve profesionale të pranimit të produkteve të TI-së. Gjithashtu, janë pranuar dhe miratuar produkte që nuk përmbushin specifikimet minimale teknike,
sipas kontratës, si dhe ka mungesë të testeve të sigurimit të cilësisë.
Siguria e informacionit dhe Plani për vazhdimësinë e biznesit për projektet e TI-së nuk ishin trajtuar nga Ministria apo Instituti. Më tej, nuk janë siguruar mekanizma për ruajtjen e të dhënave dhe vazhdimësinë e funksionimit të sistemeve të informacionit.

Ka mungesë të kontrolleve të qasjes fizike dhe mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore ose nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Departamenti për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar ato të shkaktuara nga njeriu.

Mungojnë edhe kopjet rezervë të sistemeve të informacionit, gjë kjo që ndjeshëm rrit rrezikun e ndërprerjes së sistemit dhe humbjes së të dhënave.


Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca është shprehur se bazuar në dëshmitë e auditimit, në fushën e sistemit të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës ka mungesë të sigurimit të cilësisë, mangësi në konfigurimin e sistemit si dhe në sigurinë dhe vazhdimësinë e sistemit.

Mos menaxhimi i duhur në fushën e TI-së në këtë Institut rezultoi me sisteme jofunksionale dhe të papërdorshme të cilat nuk përmbushin qëllimin e blerjes dhe zhvillimit të tyre, për më tepër kanë krijuar
shpenzime të panevojshme dhe dëmtime buxhetore.


Si rrjedhojë, me qëllim të adresimit të çështjeve të identifikuara lidhur me menaxhimin e projekteve të sistemeve të Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit në IBK, ZKA dha 15 rekomandime për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.