14:17 / E Premte, 23 Prill 2021 / OSH

Mosrespektimi i masave të reja – 70 biznese gjobiten, 6 mbyllen

Që nga hyrja në fuqi e masave të reja nga ana e Qeverisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka shqiptuar 70 gjoba për lokalet dhe gastronominë, ndërsa gjashtë janë mbyllur si pasojë e mos respektimit të masave anti-Covid.

Lamir Thaçi, zyrtar i AUV, tha që numri më i madh i gjobave në tre muajt e parë të këtij viti shkon mbi 700 gjoba për persona juridik, dhe mbi 800 gjoba për mos mbajtje të maskave, apo mos respektim të orarit të lëvizjes.

 Vetëm gjatë natës së mbrëmshme në regjionin e Ferizajt janë shqiptuar 8 gjoba gjatë kohës së iftarit për mos respektim të masave nga ana e restoranteve.

“Ne në tre muajt e parë të këtij viti, kemi shqiptuar rreth 700 gjoba për persona juridik ku përfshihen operatorët ekonomik, dhe kemi shqiptuar rreth 800 gjoba për persona fizikë të cilët nuk e kanë mbajtur maskën, ose kanë shkelur orën e lëvizjes. Dhe nëse shohim statistikat prej hyrjes së masave në fuqi numri i gjobave ka tejkaluar numrin 70 vetëm për lokale dhe gastronominë të cilat nuk kanë respektuar vendimet, dhe 6 mbyllje të përkohshme deri në krijimin e kushteve. Gjatë natës së mbrëmshme, vetëm në regjionin e Ferizajt janë shqiptuar 8 gjoba për persona juridik dhe shumica e gjobave janë shqiptuar për sektorin e gastronomisë, ku gjatë kohës së iftarit nuk kanë respektuar rregullat”, tha ai.

Thaçi thekson që Prishtina mund të klasifikohet si qyteti që i janë shqiptuar më së shumti gjoba, pasi edhe ka numrin më të madh të banorëve dhe bizneseve.

“Ne nuk mund të ndajmë sipas regjioneve sepse shkelës kemi pasur në të gjitha regjionet. Sigurisht Prishtina e ka specifikën e vet sepse e ka numrin më të madh të banorëve dhe bizneseve, dhe koncentrimi më i madh i jonë ka qenë aty, dhe numri më i madh i gjobave është këtu”, thekso ai.

Zbatueshmëria më të madhe të masave dhe respektimit të tyre ka sektori i hotelerisë, ku sipas zyrtarit të AUV-it, baret dhe restorantet me hapësira më të vogla kanë shkelur rregullat.

“Po në fakt prin pjesa e gastronomisë, ku hynë këtu kafiteritë, baret dhe restorantet. Një zbatueshmëri më të madhe të masave e kemi tek pjesa e hotelerisë, por pa marrë parasysh kategorinë që është ne nuk kemi qenë selektiv, por normalisht që numri më i madh i gjobave ka shkuar tek restorantet dhe baret që kanë hapësira më të vogla dhe që kanë lejuar që të shërbejnë për numër më të madh të njerëzve sesa që  e lejon kapaciteti hapësinor i tyre”, deklaroi Thaçi.

Thaçi tutje theksoi që gjatë kohës së mbylljes punë më të madhe ka pasur policia, ndërsa pas lirimit të masave puna e kësaj agjencie është shtuar.

“Kur kemi pasur kufizim të lëvizjes dhe ndaljes së punës, për neve është ulë puna, dhe barra ka qenë mbi policinë e Kosovës andaj edhe kemi pasur numër më të vogël të gjobave, ato raste ku i kemi hasur që janë hapur në kundërshtim me ligjin edhe në atë kohë i kemi ndëshkuar, tani me hapjen e gastronomisë dhe sektorë tjerë puna jonë është rritur dhe kemi rritur edhe kontrollet dhe me këtë rast edhe ndëshkimet janë rritur. Në dy ditët e fundit ne shumicën e gjobave i kemi shqiptuar për restorantet të cilat kanë organizuar mbajtjen e iftarit dhe kemi kërkuar që të respektojnë masat”, u shpreh tutje ai.

Mungesa me numrin e inspektorëve dhe logjistikës po vazhdon të jetë akoma problem për këtë agjenci, pasi edhe kapacitetet e shtimit të punës janë më të mëdha.

“Po kemi mungesë të numrit të inspektorëve dhe mungesë edhe të logjistikës, në këtë rast edhe të veturave për inspektime sepse duhet që veturat të jenë në lëvizje me nga dy inspektorë dhe në këto dy pika jemi të kufizuar. Kemi marrë mbështetje nga ministria e Shëndetësisë prej 90 inspektorëve, të cilët janë duke punuar dhe të përgatitur për inspektime në terren, dhe kemi marrë premtime edhe për mbulimin e mjeteve të logjistikës”, përfundoi ai për Ekonomia Online.