Një motoçiklist përplas dy policë në Ferizaj

Një motoçiklist ka sulmuar dy zyrtarë policorë në rrugën “Gjon Serreqi” në Ferizaj, pasi nuk ka përfillur shenjat e tyre të ndalimit.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rreth orës 21:15, njësia policore e biçikletave ka tentuar të ndalojë motoçiklistin për kontroll rutinë, por i dyshuari nuk ka respektuar urdhërat dhe ka rritur shpejtësinë, duke goditur dy zyrtarët policorë. Si pasojë e përplasjes, zyrtarët kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar menjëherë në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt për trajtim mjekësor.
I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, por në vend është gjetur telefoni i tij celular, i cili ka ndihmuar në identifikimin e tij. Më pas, ai së bashku me prindin e tij është paraqitur në stacion policor.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërkohë që rasti është cilësuar si “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe po vazhdon të hetohet nga organet kompetente./IndeksOnline/