75 Mall Live Search
20:16 / E Martë, 19 Dhjetor 2023 / C E

Motta flet për ndeshjen ndaj Interit: Ne thjesht duam të luajmë futbollin tonë

Trajneri i Bolognas, Thiago Motta ka folur për përballjen me Interin në Kupën e Italisë, duke thënë se synojnë vetëm fitoren.

Ndeshja do të zhvillohet nesër në “San Siro”, duke filluar nga ora 21:00.

Nerazzurrët e kanë fituar Kupën e Italisë në dy sezonet e fundit radhazi, teksa Bologna është në një moment të mirë në kampionat, duke mposhtur së fundmi Romën me rezultat 2-0.

“Ne thjesht duam të luajmë futbollin tonë dhe të marrim rezultatin në shtëpi”, tha Motta në konferencën e tij për shtyp.

“Ne jemi përballë finalistëve të Ligës së Kampionëve, pretendentë seriozë për Scudetton dhe duam të themi fjalën tonë. Do të zgjedh lojtarët që janë në formën më të mirë, pasi ne kemi nevojë për të gjithë”.

“Kam respekt dhe admirim të madh për trajnerët me të cilët kam punuar, përfshirë Jose Mourinhon, Louis van Gaal dhe Carlo Ancelotti, sepse ata ende punojnë me të njëjtën energji dhe entuziazëm sikur të ishte dita e tyre e parë në punë”.

“Shpresoj, edhe nëse kjo është shumë larg, që edhe unë mund të kem të njëjtin pasion për futbollin pas 20 vitesh. Nuk është një arritje e keqe”.

Ka të ngjarë që Interi të fillojë nesër Marko Arnautovic kundër ish-klubit të tij, pasi veterani austriak kishte disa mosmarrëveshje me Thiago Motta-n.

“Marko është një lojtar i madh dhe ai mori një vendim të kuptueshëm. I uroj atij gjithë të mirat për kohën e tij në Inter – përveç nesër”, përfundoi Motta.