Mourinho i bën një premtim Alabas, austriaku merr vendim për të ardhmen

Trajneri i Fenerbahçes, Jose Mourinho, ka tentuar ta sjellë në Stamboll mbrojtësin e Real Madridit, David Alaba. Sipas raportimeve të mediumit turk Fotomac, Mourinho është takuar personalisht me futbollistin austriak, duke i ofruar një vend të garantuar në formacionin bazë për sezonin e ri.
Megjithatë, 33-vjeçari ka refuzuar ofertën, duke e njoftuar Mourinhon se nuk ka ndërmend të largohet nga Spanja para përfundimit të kontratës së tij me “Los Blancos”, e cila skadon në fund të sezonit 2025/26.
Alaba iu bashkua Real Madridit në korrik të vitit 2021 si transfer i lirë nga Bayern Munich, pas më shumë se një dekade të suksesshme në Bundesliga.
Sezonin e kaluar, ai pati probleme të shumta fizike, të cilat e kufizuan në vetëm 599 minuta lojë në 14 ndeshje zyrtare.
Pavarësisht interesimit të Fenerbahçes dhe marrëdhënies së mirë me Mourinhon, Alaba mbetet i përkushtuar ndaj kontratës dhe projektit të klubit madrilen.