75 Mall Live Search
14:05 / E Hënë, 04 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Mourinho, në “pole position” për të marrë drejtimin e Bayernit

Bayern Munichu ka identifikuar Jose Mourinhon si objektivin e tyre kryesor për të zëvendësuar trajnerin Niko Kovaç.

Ky i fundit është larguar nga puna si trajner, pas bisedimeve me CEO-n e Bayernit, Karl-Heinz Rummeniggen, presidentin Uli Hoeness dhe drejtorin sportiv Hasan Salihamixhiq.

Sa i përket interesimit të drejtuesve të skuadrës gjermane për Mourinhon, trajneri portugez ka mbetur pa punë që pas largimit nga Manchester Unitedi dhjetorin e kaluar dhe po pret për një ofertë konkrete.

Gjasat e Mourinhos për të marrë drejtimin e skuadrës gjermane nuk janë edhe aq të vogla, pasi që portugezi gjatë karrierës së tij ende nuk ka provuar jetën në Bundesligë dhe gjithashtu thuhet se ai mund të dëshironte që të provonte diçka më të re.

Në përkrahje të trajnerit portugez i ka dalë edhe ish-mesfushori i tij gjatë kohës te Manchester Unitedi, Bastian Schweinsteiger, duke thënë për gazetën gjermane “Bild am Sonntag” se trajneri ka pyetur gjithmonë për Bayernin dhe Bundesligën.

Gjithashtu, për portugezin thuhej se ishin të interesuar edhe Arsenali, por skuadra angleze hodhi poshtë pretendimet që Mourinho mund të marrë postin si trajner i tyre. /IndeksOnline/