08:26 / E Enjte, 24 Shtator 2020 / C E

Mourinho luan sot në tokën shqiptare, kundër Shkëndijës

Pas emrave të rëndësishëm të futbollit evropian si Genti, Milani, Red Bull Salzburgu e Rosenborgu, në Shkup, për t’u përballur me kuqezinjtë tetovarë, zbarkon Tottenhami i Jose Mourinhos.

Gjigantët e futbollit anglez me misionin, ndoshta të thjeshtë në letër, për të mos e lejuar që një “Shkëndijë” të shndërrohet në “zjarr përvëlues” ta.

 Do të ishte e papranueshme për një trajner me karrierë të pabesueshme 20-vjeçare si “Special One” të largohej në raundin e tretë kualifikues të Europa Leagues, aq më tepër kur ka përballë një ekip me buxhet tepër modest.

Por futbolli ka “rrengjet” e tij, kurthet e tij, edhe për emrat më të mëdhenj të futbollit, e momente të lavdishme për ata që kanë ëndrra të mëdha. E tillë është edhe ëndrra e Shkëndijës, që për të disatën herë gjatë dekadës së fundit tenton grupet e Europa Leagues.

Në orën 20:00, në stadiumin “Todor Proeski” të Shkupit, “armata” e Ernest Gjokës do të tentojë të bëjë mrekullinë ndaj “koracës” së Jose Mourinhos, sigurisht edhe me sytë drejtuar nga qielli, me shpresën që nga lart të vijë sadopak dashamirësi.

Sa u përket të rejave më të fundit në kampin e kuqezinjve, mbetet jashtë i pafati Armend Halimi. Mesfushori fillimisht humbi ndeshjen e parë europiane të kësaj vere me Sumgayi FC, pasi rezultoi pozitiv me COVID-19, ndërsa tani mungon për shkak të kartonit të kuq të marrë në sfidën ndaj Botosanit (0-1). Një mungesë shumë e rëndësishme për stafin teknik, që duhet të bëjë zgjedhjet e duhura për t’u përgjigjur sadopak kundërshtarit, që ka në përbërje emra të mëdhenj të futbollit botëror.

Tottenhami është emri i dytë i madh i futbollit europian me të të cilin është përballur Shkëndija (pas  Milanit), por nuk duhet harruar se vetëm pak më shumë se një vit më parë ishte në finale të Champions League-s, ku u mposht nga Liverpooli.