75 Mall Live Search
13:05 / E Premte, 24 Tetor 2025 / S Z

MPB-ja intensifikon fushatën informuese lidhur me zbatimin e Ligjit për automjete dhe Ligjit për të huajt

Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin publik se nga 1 nëntori 2025 deri më 15 janar 2026, do të zhvillojë një fushatë të intensifikuar informuese për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të huajt me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm në Kosovë.

“Kjo fushatë do të realizohet përmes takimeve me qytetarë, tryezave të diskutimit me organizata të shoqërisë civile si dhe aktiviteteve informuese në terren, në media lokale  dhe qendrore  dhe përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, me qëllim të adresimit të pyetjeve dhe paqartësive që kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për automjete dhe Ligjit për të huajt”, thuhet në njoftim.

Fokusi i veçantë i kësaj fushate do të jetë informimi i qytetarëve për kushtet e pjesëmarrjes në trafik në territorin e Republikës së Kosovës, veçanërisht për automjetet e regjistruara në vendin e huaj dhe çështjet që ndërlidhen me zbatimin e dispozitave ligjore për automjetet. Fushata, gjithashtu do të ofrojë udhëzime praktike për hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar për të siguruar bashkëpunim të hapur dhe transparent me të gjithë qytetarët, pa dallim, me qëllim të informimit të drejtë, zbatimit të plotë të ligjeve dhe përmbushjes së obligimeve ligjore.

“Për më shumë informacione, ftojmë qytetarët që të ndjekin njoftimet zyrtare në faqen e Internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.