MPB-ja lanson linjën 0800 pa pagesë, ja për çka do të shërbejë
Ministria e Punëve të Brendshme nga sot ka vënë në dispozicion të publikut edhe një kanal komunikues – linjën telefonike pa pagesë – 0800.
Kjo është bërë në kuadër të periudhës informuese rreth zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, për të njoftim të shpejtë dhe të drejtë të qytetarëve, të huajve dhe vizitorëve.
Numri i kësaj linje është: 0800 46 757, raporton IndeksOnline.
Sipas MPB-së, duke telefonuar në këtë numër, pa kosto të shërbimit telefonik, palët e interesuara mund të informohen lidhur me përcaktimet e Ligjit për të huajt dhe Ligjit për Automjete.
Në njoftimin e MPB-së thuhet se kjo linjë pa pagesë do të ju ofrojë informacionet në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze.
“Linja telefonike pa pagesë është një prej formave që MPB ka planifikuar të vë në dispozicion, për ofrimin e informacioneve të nevojshme me qëllim të lehtësimit të qëndrimit të vizitorëve dhe të huajve në Republikën e Kosovës, dhe për qarkullimin e automjeteve të regjistruara në vendin e huaj” deklaron Ministria.
Fushata informuese do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me synimin për të lehtësuar qasjen në informata dhe për të siguruar respektimin e legjislacionit në fuqi.

