19:55 / E Mërkurë, 11 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

“MPB s’duhet t’i takojë VV-së, ata kanë ngarkesa psikologjike në raport me policinë, dy partitë po e pengojnë vetveten”

Më 27 nëntor Komisioni Qendror Zgjedhor bëri certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të gjashtë tetorit.

Me këtë rast, KQZ konfirmoi se partia fituese e zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, duke u rendit më pas Lidhja Demokratike e Kosovës, PDK, koalicioni AAK-PSD e partitë e tjera.

Në bazë të rezultateve të arritura nga këto zgjedhje të parakohshme që u mbajtën në vend, mbeti që qeverisja e re të formohet nga dy partitë e para, VV dhe LDK.

Edhe pse  ditët po ecin, marrëveshja nuk po arrihet ende. Kurti dhe Mustafa u shprehën optimist që marrëveshja mund të arrihet shpejtë, por një gjë e tillë nuk po ndodhë. Madje problemi qëndron pikërisht tek ndarja e posteve ekzekutive.

Presidenti 2021 dhe udhëheqja e Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet të jenë dy problemet kyçe, për të cilat nuk po gjejnë pajtim dy liderët e partive.

Edhe pas takimit që patën sonte, pas disa ditëve ndërprerje të këtyre takimeve, Kurti dhe Mustafa nuk arritën të dakordoheshin.

Lidhur me këtë, Indeksonline ka kontaktuar profesorin universitar si dhe analistin, Milazim Krasniqi.

Krasniqi ka deklaruar se zvarritja e arritjes së kësaj marrëveshje po vie si pasojë e mosbesimit të madh që kanë nga e kaluara LDK e VV.

“Sidomos LDK-ja, e  cila ka qenë nën presionin e dhunshëm të VV, në kohën kur Isa Mustafa ishte kryeministër. Tash LDK po tregon kujdes të shtuar, në mos të tepruar, nga frika se VV mund ta eklipsojë, po të kihet para sysh karizma e Albin Kurtit dhe pozita e tij si kryeministër. E dyta, kjo tregon edhe papërgjegjësi të këtyre dy partive, të cilat rezultatin zgjedhor e kanë ditur që më 6 tetor dhe e kanë ditur shumë mirë se do të  detyrohen të bëjnë koalicion.  Kohën deri në certifikimin e rezultateve nuk e kanë shfrytëzuar për arritjen e marrëveshjes, të cilën pas certifikimit vetëm do të mund ta formalizonin. Në fakt, LDK është e njohur si parti që vepron ngadalë, thjesht nuk i bëhet kurrë vonë. Si duket këtë prirje ia ka imponuar a ngjitur edhe VV-së”, tha Krasniqi.

Milazim Krasniqi

Krasniqi cilëson se bllokimi pikërisht tek ndarja e pozitave është jo-korrekte dhe e pamoralshme. Sipas tij, lufta për karrige është e vjetër sa institucionet tona dhe se ambiciet e këtyre dy partive janë bukur të shfrenuara, pikërisht në çështjen e Presidentit si dhe të MPB-së.

“Bllokimi te ndarja e pozitave është jo korrekte dhe bile e pamoralshme. E para në këtë mes është përgjegjësia me të cilën janë ngarkuar nga rezultati zgjedhor, pra, që të formojnë qeverinë. Lufta për karrige është e vjetër sa institucionet tona, fatkeqësisht. Dy pozitat që janë problematike, ministri i brendshëm dhe presidenti,  kanë zgjidhje të lehtë. E para, ministria e brendshme në asnjë rast nuk do të duhej t’i takonte VV, sepse ata kanë  ngarkesa psikologjike në raport me policinë, nga koha  e protestave të tyre të dhunshme. Pra, do të kishte rrezik që të tentohej të dënoheshin policët që kanë intervenuar në protesta e kjo do ta shkatërronte kredibilitetin e policisë së shtetit. Ndërsa, pozita e presidentit nuk do të duhej të përfshihej në pakon e marrëveshjes, pasi presidenti është institucion i pavarur nga koalicionet qeverisëse. Por, ambiciet e këtyre dy partive po duket se janë bukur të shfrenuara, pikërisht në këto dy çështje, ku nuk do të duhej të kishte kontest”, shtoi ai.

Krasniqi është shprehur se marrëveshja e koalicionit është  lehtësisht e arritshme, pas nuk kanë asnjë pengesë në rrugë për ta arritur atë.

 Vetëm se duhet vullnet politik dhe përgjegjësi shtetërore.

“Tash për tash VV e LDK janë duke e penguar vetveten. Por, po rritet presioni edhe nga opinioni publik e edhe nga faktorët ndërkombëtar, ashtu që do të lëvizin shumë shpejt drejt  marrëveshjes.  Por, me këtë shkallë mosbesimi që kanë manifestuar këto javë, VV e LDK nuk do ta ketë lehtë që të krijojnë një qeveri unike, efikase dhe kredibile.  Nuk punohet mirë duke ruajtur shpinën nga njëri-tjetri. Megjithatë,  mbetet të shihet se si do të menaxhohet  mosbesimi që ekziston. Përgjegjësia shtetërore do të duhej ta eliminonte mosbesimin”, shtoi Krasniqi.

Ndryshe edhe pse krijimi i Qeverisë së Re të Kosovës nuk dihet se kur do të ndodhë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur që seanca e parë e Parlamentit të Ri të Kosovës të mbahet më 24 dhjetor.

Më 24 dhjetor pritet të mbahet Mbledhja e Parë e Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe kjo është tri ditë përpara përfundimit të afatit një mujor pasi KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve./Indeksonline/