MPB-ja, shënoi Ditën Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Njerëz

Ministria e Punëve të Brendshme sot shënoi 18 tetorin, Ditën Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Njerëz dhe njëherësh bëri hapjen e Fushatës Njëmujore Kundër Trafikimit me Njerëz.
Hapjen e kësaj ceremonie e bëri ministri i MPB-së, Agim Veliu, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Thaçi, kryeministri i Republikës së Kosovës Hoti, si edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësuesi special i BE-së Szunyog.
Gjatë kësaj ceremonie ministri Veliu theksoi se duke u referuar statistikave të viteve të fundit në Republikën e Kosovës ka një rënie të rasteve të trafikimit me njerëz dhe kjo ishte si rezultat i punës së institucioneve të Kosovës.
“Për gati dy dekada, parandalimi i trafikimit njerëzor ka qenë një detyrë prioritare e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila ka realizuar angazhimin e saj për eliminimin e këtij fenomeni me masa të shumta, gjithashtu duke caktuar koordinator kombëtar kundër trafikimit dhe krijimin e Autoritetit Kombëtar Kundër Trafikimit që nga viti 2008”, tha ministri Veliu.
Më tej, ai shtoi se Policia e Kosovës, ka arritur që gjatë periudhës janar-shtator 2020 të bëjë identifikimin e 11 viktimave të trafikimit me njerëz, arrestimin e 59 personave të dyshuar për veprat penale të trafikimit dhe veprave që ndërlidhen me trafikimin, si edhe ka paraqitur 18 kallëzime penale në prokuroritë përkatëse për veprat e trafikimit me njerëz dhe atyre që ndërlidhen me trafikimin.
Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se Kosova ka arritur të krijonte infrastrukturë ligjore që lufton trafikimin e qenieve njerëzore.
“Kosova i është mirënjohëse Bashkimit Evropian për parandalimin e trafikimit me qenien njerëzore. Trafikimin mund ta mundim vetëm duke bashkëpunuar”, tha presidenti Thaçi.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, theksoi se rënia e rasteve të trafikimit me njerëz ka ardhur si rezultat i punës së institucioneve.
Ai theksoi se prioritet i Qeverisë është parandalimi i trafikimit me njerëz pasi që është shkelje fondamentale e të drejtave të njeriut.
Ndërsa përfaqësuesi special i BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, tha se lufta kundër trafikimit me qenie njerëzore nuk është individuale por duhet të jetë një luftë e përbashkët pasi që është një fenomen global.
Ai u zotua se Bashkimi Evropian, do të vazhdojë të mbështesë institucionet e Republikës së Kosovës në luftimin e këtij fenomeni negativ.
Fushata Kundër Trafikimit me Njerëz do të zgjasë një muaj dhe synon ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe fuqizimin e ndërgjegjësimit mbi këtë fenomen.