17:30 / E Martë, 28 Gusht 2018 / indeksADMonline

MPB sqarohet për pushimin e ministrit Gashi

Me herët u raportua se Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi ka marrë pushim mjekësor, në kohën kur në Veri të Mitrovicës pritej të ndodhte diçka serioze.

Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar vet Ministri Gashi.

“Në fillim të muajit gusht kam pasur një ndërhyrje të paplanifikuar kirurgjike, të cilën e kam bërë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, më 3 gusht, pas përfundimit të orarit zyrtar të punës”, ka thënë Gashi.

Më poshtë reagimi i plotë:

Si ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme shpreh keqardhje për këtë informim jo të drejt të opinionit nga portali “Indeksonline”.

Në fillim të muajit gusht kam pasur një ndërhyrje të paplanifikuar kirurgjike, të cilën e kam bërë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, më 3 gusht, pas përfundimit të orarit zyrtar të punës.

Gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë në kontakt me komandantin e KFOR-it dhe me zyrtarët përgjegjës për sigurinë publike në vend, të cilët janë përgjegjës për pjesën operacionale, pjesë në të cilën unë si ministër nuk kam kompetencë ligjore.

Shfrytëzoj rastin që të falënderoj publikisht pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët kanë përgatitjen e duhur profesionale dhe janë të gatshëm që të veprojnë në çfarëdo situate apo rrethane që krijohet në vend e cila mund të cenojë sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Duke i falënderuar të gjitha mediat për korrektësinë e treguar deri më tash, shpresoj që edhe në të ardhmen të kemi një bashkëpunim të tillë.