MPB: Vazhdojnë sulmet terroriste ndaj institucioneve shtetërore nga ana e Serbisë për ta eskaluar situatën

Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me reagim pasi u sulmua me mjet shpërthyes komuna në Veri të Mitrovicës.
MPB thotë se janë duke vazhduar sulmet terroriste ndaj institucioneve shtetërore, raporton Indeksonline.
“Mbrëmë në orët e vona, ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që sipas ekspertizës dyshohet të jetë granatë dore e llojit M75. Nga ky akt kriminal, janë dëmtuar dhe dy vetura zyrtare që gjendeshin pranë objektit. Policia e Kosovës ka marrë masat e menjëhershme në investigimin e rastit dhe identifikimin e autorëve.
Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në reagim./Indeksonline/