MPJ demanton Gjuriqin: Nuk ka bërë kërkesë për ta vizituar sot Kosovën
Ministria e Punëve të Jashtme ka demantuar drejtorin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovës, Marko Gjuriq, se nuk është lejuar të vijë në Kosovë, përcjellë Indeksonline.
Gjuriq në një konferencë për media ka bërë të ditur se i është refuzuar kërkesa për siç tha ai, vizitë në Leshakë, ku serbëve do të iu dorëzonte disa ndihma.
Ai tha se vizita ishte shpallur në përputhje me marrëveshjen për vizitat e zyrtarëve dhe ka shtuar se ndalimi nuk është një rastësi, por rezultat i nervozizmit të institucioneve në Prishtinë.
“Kjo është e papranueshme dhe tregon se ata nuk kanë lëvizur diku nga ekstremizmi politik”, deklaroi Gjuriq, duke thënë se ndihma përfshinte 10 traktorët për fermerët e këtij rajoni.
Mirëpo, një gjë të tillë nuk e thonë edhe zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Liridon Llapashtica nga MPJ për Indeksonline bëri të ditur se nga Marko Gjuriq nuk është bërë asnjë kërkesë.
“Kërkesa e vetme për vizitë nga individi i lartpërmendur ka qenë të shtunën dhe e njëjta nuk është pranuar si rezultat i asaj që ka qenë jashtë kritereve të marrëveshjes së Brukselit”, tha Llapashtica.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në fundjavë kishte kërkuar leje që të vinte për të përkrahur Listën Serbe në zgjedhjet e parakohshme të mbajtur në katër komunat veriore. /Indeksonline/