MPJ ka pranuar rreth 2 mijë e 400 kërkesa për t’u kthyer në Kosovë, 600 prej tyre emergjente

Shumë kosovarë mbetën nëpër Evropë dhe më larg, si pasojë e bllokimeve që ndodhën nga përhapja e virusit COVID-19.
Kësisoj ministritë përkatëse filluan që të aranzhojnë fluturime të ndryshme për t’i sjellë ata në Kosovë, fillimisht duke i karantinuar për 14 ditë rresht.
Sot u bë e ditur se më 20 prill do të organizohet fluturimi i parë nga Zvicra, ndërsa me 21 prill do të organizohet fluturimi nga Turqia.
Nga ministria e Jashtme e Kosovës u bë e ditur se tashmë është plotësuar numri i qytetarëve të lejuar për këto fluturime, duke u bazuar në kufizimet e caktuara nga MSh, kufizime këto që varen nga kapacitetet karantinuese dhe të kontrolleve mjekësore në Republikën e Kosovës. Në këto fluturime janë përfshirë qytetarë të Republikës sonë të cilët kanë emergjenca dhe një pjesë e madhe e tyre janë pacientë të cilët janë mjekuar jashtë vendit, apo persona që kanë mbetur pa financa dhe pa strehim gjatë kësaj periudhe të pandemisë.
“Si MPJD, nëpërmjet misioneve tona aktualisht kemi rreth 2,400 kërkesa për t’u kthyer në Republikën e Kosovës, 600 nga të cilat janë raste emergjente. Ne në vazhdimësi jemi duke mbledhur informacion edhe për kërkesat e reja dhe këto informacione po i përcjellim tek MSh. Në momentin e parë kur të lirohen kapacitete të karantinimit, pas njoftimit nga MSh ne nëpërmjet Ambasadave tona dhe në koordinim me MIA do të organizojmë fluturime të reja edhe nga vendet e tjera”, u tha në njoftimin për media./Indeksonline/