MPJ-ja mohon tërheqjen e njohjes nga Gana
Ministria e Jashtme e Kosovës ka deklaruar se nuk është e vërtetë që Gana ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Ministria e Jashtme është në komunikim të rregullt me ambasadat e Ganës në qendra të ndryshme të botës dhe asnjëra prej tyre nuk kanë asnjë informacion në lidhje me pretendimin e ministrit serb Ivica Daçiq”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
MPJ-ja thotë se është e habitshme se si disa media, edhe në Kosovë, transmetojnë të pavërteta të servuara nga institucionet e Serbisë dhe përmes “fake neës” domosdo i shkaktojnë dëm Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Gazetarët kanë kapacitet për të kuptuar seriozitetin e shtetit dhe betejat diplomatike me të cilat ballafaqohet Republika e Kosovës, andaj në këtë pikë duhet të tregohen shumë më të kujdesshëm dhe më profesionistë në mënyrë që të mos bien pre e propagandës serbe e cila nga Beogradi zyrtar prezantohet si lajm”, vijon reagimi.
Madje, Ministria e Jashtme e Kosovës fton të gjitha mediat në Kosovë dhe jashtë saj që të verifikojnë më shumë se njëherë secilin lajm për Kosovën i cili prodhohet në Serbi.
“Metodat e mirënjohura dhe të bazuara në shembuj të tjerë që po i përdor Daçiqi me lobuesit e tij me histori të dyshim kriminale, janë në proporcion të zhdrejtë me politiken paqësore rajonale, paqen dhe harmoninë në mes shteteve”, thuhet në reagimin e MPJ-së.