11:54 / E Premte, 31 Maj 2019 / indeksADMonline

MPJ: Nuk do të ngurrojmë të marrim masa kur janë pyetje interesat kombëtare

Jetlir Zyberaj, këshilltari i Ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, thotë se kjo ministri nuk do të ngurrojë të ndërmarrë masa sa herë janë në pyetje interesat kombëtare të Kosovës.

Zyberaj ka përmendur dy rastet e fundit, ku Ministria e Punëve të Jashtme dje ka shpallur person non-grata zyrtarin e UNMIK-ut me shtetësi ruse, Mihajl Krasnoshchenkov, si dhe i ka ndaluar përgjithmonë hyrjen në Kosovë kryeministres serbe Anna Brnabiq, pas deklaratave të saj raciste ndaj liderëve kosovarë.

Postimi i Zyberajt:

Ministria e Punëve të Jashtme ka shpallur dje zyrtarin e UNMIK-ut me shtetësi ruse si persona non-grata. Kjo vjen pas hezitimit të UNMIK-ut për të hequr imunitetin e zyrtarit dhe për të bashkëpunuar me autoritetet gjyqësore.

Në të njëjtën kohë një ditë më parë për shkak të deklaratave të saj raciste, Kryeministres serbe Ana Brnabic i është ndaluar përgjithmonë hyrja në Kosovë. Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të ngurrojë të ndërmarrë masa të tilla në çdo moment kur janë në pyetje interesat kombëtare të Kosovës.