75 Mall Live Search
20:37 / E Martë, 09 Shtator 2025 / MSH

MPJD-ja konfirmon arrestimin e Hazirit në Serbi, e njofton BE-në dhe Quint-in

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar arrestimin e Hazir Hazirit, nga ana e autoriteteve serbe.

Në një konfirmim zyrtar, MPJD-ja deklaroi se Haziri u arrestua dje në Merdar, gjatë hyrjes së tij në territorin serb, shkruan IndeksOnline.

“Menjëherë pas marrjes së informacionit për këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është angazhuar përmes kanaleve zyrtare dhe diplomatike për të siguruar informacione të sakta dhe të plota mbi ndalimin e z. Haziri” thuhet në reagimin e MPJD-së.

Ministria paralajmëron se nëse ndaj Hazirit vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të bëj kërkesën për vizitë zyrtare në qendrën e ndalimit.

Nga ky institucion bëhet me dije se lidhur me rastin është njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it.

Ky është reagimi i plotë i Ministrisë:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon arrestimin e qytetarit të Republikës së Kosovës, z. Hazir (Arif) Haziri, nga autoritetet e Serbisë, më 8 shtator 2025, në pikën kufitare në Merdarë, gjatë hyrjes së tij në territorin serb me automjet privat.

Menjëherë pas marrjes së informacionit për këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është angazhuar përmes kanaleve zyrtare dhe diplomatike për të siguruar informacione të sakta dhe të plota mbi ndalimin e z. Haziri.

Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës ka adresuar një kërkesë zyrtare autoriteteve të Qeverisë së Serbisë për të konfirmuar arrestimin e z. Haziri dhe për të sqaruar arsyet ligjore të ndalimit të tij.

Lidhur me rastin, është njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it.

Nëse ndaj z. Haziri vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të bëj kërkesën për vizitë zyrtare në qendrën e ndalimit.

Në këtë fazë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies së tyre.

MPJD gjithashtu nënvizon nevojën urgjente për reagim nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj praktikave represive të autoriteteve serbe, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Rritja e rasteve të ndalimeve dhe maltretimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përbën shkelje të frymës së dialogut dhe të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy palëve.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës zotohet se do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, kudo që ndodhen.