MPMS dhe UNDP në përkrahje të punëkërkuesve për hapjen e bizneseve të tyre

Me qëllim të mbështetjes së vazhdueshme për punëkërkuesit në Kosovë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, ka shpallur të hapur fazën e dytë të Programit të vetëpunësimit 2020, për punëkërkuesit e riatdhesuar në Kosovë.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se me këtë program, do të mbështeten punëkërkuesit e riatdhesuar, në hapjen e bizneseve të tyre të profileve të ndryshme, biznese që janë në gjendje t’i mbijetojnë tregut konkurrues të punës. Kjo përkrahje e shtuar vjen në këtë kohë të përballjes me pandeminë COVID-19, në mënyrë që punëkërkuesit në Kosovë të ndiejnë edhe më shumë dorën kujdesit nga shteti.
“Vlen të theksohet se në fazën e parë të Programit të vetëpunësimit këtë vit, ne kemi mbështetur 136 punëkërkues të riatdhesuar, të cilët tashmë kanë hapur bizneset e tyre dhe kanë nisur punën”, ka thënë Reçica.
Të gjitha informatat shtesë dhe formulari i aplikimit mund të gjenden në: https://mpms.rks-gov.net/shpallje/njoftime/ dhe https://aprk.rks-gov.net.