75 Mall Live Search
15:31 / E Mërkurë, 30 Prill 2025 / H F

MSH nënshkruan tender/ Mbi 5 milionë euro terapi për pacientët me sëmundje të rënda dhe të rralla

Ministria e Shëndetësisë ka finalizuar një nga tenderët më të rëndësishëm për furnizim me barna nga Lista Esenciale, duke siguruar trajtim për pacientët që përballen me disa nga sëmundjet më të rënda.

Dikasteri që udhëhiqet nga, Arben Vitia, është nënshkruar kontrata për 10 lote furnizimi, me një afat 24-mujor, dhe një vlerë të përgjithshme që tejkalon 5.6 milionë euro.

Fokusi i këtij furnizimi janë barnat për hemofili, fibrozë cistike dhe sklerozë multiple — tre gjendje serioze që kërkojnë trajtim të vazhdueshëm, të specializuar dhe shpesh shumë të kushtueshëm.

Kompania “Santefarm” ka fituar tre lote, me një kontratë në vlerë 448,171.20 euro, dhe do të kujdeset për furnizimin me Emicizumab, një terapi jetike për pacientët me hemofili.

“Meditech”, ndërkohë, do të furnizojë me Dornase Alfa, një preparat që lehtëson frymëmarrjen te pacientët me fibrozë cistike, si dhe me Coagulation factor VII recombinant, që përdoret për ndalimin e gjakderdhjes tek persona me çrregullime të koagulimit.

Për trajtimin e sklerozës multiple, kompania “Deltapharma-Ks” do të furnizojë me Ofatumumab 20 mg, një terapi moderne që ndihmon në ngadalësimin e progresit të sëmundjes dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të prekurit. Vlera e këtij tenderi kap shifrën 329,630 euro.

Ky furnizim i rëndësishëm jo vetëm që përforcon përkushtimin e institucioneve për trajtim të denjë të pacientëve me sëmundje të rënda, por gjithashtu përfaqëson një hap konkret drejt sigurimit të barazisë në shëndetësi, aty ku çdo jetë ka vlerë.