MSh-Pacollit: Mos përçoni mesazh negativ, pavarësisht pozitës përpara shëndetit publik trajtoheni njësoj

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se përmes mediave është njoftuar lidhur me ankesat e Kryetarit të AKR-së dhe njëherësh deputetit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.
Tutje u tha se deri më sot në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare për asnjë nga ato çka përmenden në reagimin e Pacolli.
“Siç kemi konfirmuar ditën e djeshme për rastet e kthimit të shtetasve të Republikës së Kosovës aplikohen masat e njëjta.Pavarësisht pozicioneve që kanë qytetarët tanë përpara çështjeve të shëndetit publik trajtohen jo nga pozita, por sipas kritereve të paracaktuara shëndetësore”, thuhet në njoftimin e MSh-së, raporton Indeksonline.
Gjithashtu u tha se nuk janë njoftuar me asnjë praktikë nga vendet e përparuara ku dikush për shkak të pozitës nuk i nënshtrohet kritereve të parandalimit të përhapjes së pandemisë.
“Reagime të këtij lloji përçojnë mesazhe të gabuara tek qytetarët tanë të cilët po zbatojnë me korrektësi rekomandimet e institucioneve”, thuhet nga MSh./Indeksonline/