MSH siguron se marrëveshja me Pfizer për sjelljen e vaksinës në Kosovë është nënshkruar

Ministria e Shëndetësisë i ka pëgënjeshtruar disa media të cilat vinin në dyshim marrëveshjen e “Pfizer”-it me Qeverinë e Kosovës për sigurimin e vaksinës antiCovid.
MSH-ja njofton se ka nënshkruar marrëveshjen me konfedincialitet për sigurimin e 535 mijë vaksinave.
“Lidhur me interesimin e mediave dhe të qytetarëve për vaksinat antiCovid-19, Ministria e Shëndetësisë informon edhe një herë se ka marrë konfirmimin nga kompania “Pfizer” për sigurimin e 535.000 vaksinave kundër COVIDIT-19.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar me “Pfizer”-in Marrëveshjen për konfidencialitet lidhur me vaksinat dhe detajet teknike për sigurimin e vaksinave janë duke u zhvilluar sipas parimeve të përcaktuara në këtë marrëveshje.
Përveç vaksinave nga “Pfizer”-i, siç edhe është bërë e ditur këtë javë, 600. 000 vaksina të tjera janë siguruar përmes shtetit të Austrisë, derisa 720.000 doza të tjera do të merren falas nga mekanizmi “COVAX”.
Vaksinat e para kundër COVIDIT-19 do të arrijnë në Kosovë në muajin shkurt për të filluar vaksinimin e grupeve prioritare dhe mundësia për vaksinim do t’u jepet të gjithë qytetarëve sipas Planit të imunizimit për COVIDIN-19, të hartuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, i cili do të miratohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Në këtë frymë, MSH-ja kërkon mirëkuptim nga opinioni që t’u mundësohet institucioneve dhe profesionistëve shëndetësorë të kryejnë punën dhe detyrimet ligjore pa presion në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës.
MSH-ja rikonfirmon se Qeveria e Kosovës ka alokuar 40 milionë euro për sigurimin e vaksinave dhe përmbushjes së nevojave të tjera në luftën kundër COVIDIT-19 dhe qytetarët do ta marrin falas vaksinën kundër COVIDIT-19″, thuhet në njoftim.