20:09 / E Mërkurë, 29 Korrik 2020

MSh thotë se ka numër të mjaftueshëm testesh për COVID, ja cilëve persona u bëhet testi!

Numri i rasteve pozitive të ditëve të fundit, të konfirmuara me COVID-19 po shihet si rrezik për qytetarët e vendit tonë, derisa shëndetësia nëse vazhdohet i njëjti ritëm ka paralajmëruar se mund të futet në kolaps.

Ndërsa, për numrin e testimeve që po kryhen vazhdon të ketë kritika, veçmas nga opozita, të cilët vazhdimisht kanë thënë se janë në numër të vogël.

Indeksonline, ka marrë disa përgjigje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, në lidhje me atë se kush janë personat të cilëve u bëhet testi për COVID-19.

Sipas këtij institucioni, këta janë personat dhe rastet që rekomandohen t’u nënshtrohen testit për virusin korona:

1.      Të gjitha rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe repartet e dedikuara për pacient me COVID-19;

2.      Pacientët në repartet e Pulmologjisë dhe Kujdesit Parësor Shëndetësor me infeksione të rënda respiratore;

3.      Personeli shëndetësor me shenja dhe simptoma të infeksionit si dhe personeli që ka pasur kontakt të afërt dhe të pambrojtur me persona të konfirmuar me SARS CoV-2;

4.      Kontaktet e afërta të personit COVID-19 pozitiv, të cilët kanë shenja dhe simptoma të COVID-19;

5.      Personat e moshuar dhe personat  me sëmundje kronike (sëmundje të mushkërive, kancer, insuficiencë të zemrës, sëmundje cerebrovaskulare, sëmundje renale, sëmundje të mëlçisë, hipertension, diabet dhe gjendje imunokompromituese) të cilët kanë shenja të infeksionit akut respirator;

6.      Të gjitha rastet e dyshuara që kanë shenja klinike në SARI në komunitet apo institucionet e mbyllura (shkolla, spitale, shtëpi të pleqve, burgje);

7.      Shtetasit e Kosovës të cilët udhëtojnë jashtë vendit për trajtim mjekësor duhet të kenë dokumentacionin mjekësor valid përcjellës nëse kërkohet testimi nga shteti në të cilin udhëtojnë

8.      Nuk testohen personat asimptomatikë, por udhëzohen në vetizolim 14 ditor si dhe monitorim vetanak të gjendjes shëndetësore dhe në rast të shfaqjes së simptomave të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë;

Nga Zyra për Informim e kësaj ministrie, thuhet se kërkesat janë të shumta për testim, e që brenda ditës kryehen më shumë se 400 të tilla e më pak se 600. E që sipas tyre mesatarja sillet rreth 500 teste molekulare në ditë nga IKSHPK.

Të njëjtit konfirmojnë se gjatë kësaj jave pritet të shikohet mundësia e kryerjes së testimeve edhe nga laboratorët privat.

“Gjatë javes pritet të fillojë shqyrtimi i aplikacioneve të institucioneve private që kanë aplikuar për testim dhe të rriten kapacitetet testuese edhe në testime serologjike krahas atyre me PCR që kryhen në IKSHPK.

Gjithashtu, teste molekulare (PCR) pritet që të kryhen ka fundi i gushtit edhe në 7 Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike në 7 qytetet e mëdha të Kosovës, Qendra keto që janë nën autoritetin e IKSHPK-së”.

Kujtojmë që javën që kaloi Kosova mori si donacion 41.000 teste PCR nga Luksemburgu dhe Austria, e që kryeministri Avdullah Hoti pati potencuar se shumë shpejtë MSH do të nis procedurat edhe për 100.000 teste të tjera.

Por, nga Ministria e Shëndëtësisë në lidhje me këtë thonë se ka sasi të mjaftueshme të testeve, por që numri i tyre pritet të dyfishohet javët në vijim./Indeksonline/

Mos i humb