15:21 / E Martë, 03 Shtator 2019

“M&Sillosi” nis edhe 60 tonë miell – drejt vendeve afrikane

“M&Sillosi” ka nisur eksportimin e kontingjentit të 25-të me 60 tonë miell drejt vendeve të Afrikës.

Lidhur me këtë eksport, menaxheri i kontrollit të cilësisë, Ramadan Deliu, ka deklaruar për Ekonomia Online se suksesi i kësaj kompanie qëndron te cilësia e miellit, teknologjisë bashkëkohore si edhe ekipit profesional.

Deliu njoftoi se ky është viti i tretë i bashkëpunimit me UN-në, ku siç tha ai se asnjëherë deri tashti nuk ka pasur reklamacion të mallit.

“Prapa meje janë kontejnerët, të cilët janë duke u ngarkuar me miell. Sot e ngarkojmë kontingjentin e 25-të, i cili është i dedikuar për disa vende të Afrikës. Edhe pse mielli udhëton me anije dy-tre muaj, asnjëherë nuk kemi pasur probleme”.

“Falë teknologjisë bashkëkohore,  ekipi profesional, merret me përgatitjen e këtij kontingjenti dhe përgjithësi të miellit. Është viti i tretë që bashkëpunojmë me UN-në dhe deri tashti asnjëherë nuk kemi pasur reklamacion”.

Deliu theksoi se cilësia e lartë e prodhimit ka bërë që partnerët e huaj të mbesin jashtëzakonisht të kënaqur me produktin.

“Mielli ka shkuar gjithmonë i freskët, partneret tanë kanë qenë jashtëzakonisht të kënaqur. Si kur kemi eksportuar miell në kontinentin e Afrikës kohë pas kohë eksportojmë për nevojat e UN-it edhe në disa shtetet të Amerikës Jugore”.