75 Mall Live Search
10:37 / E Premte, 17 Tetor 2025 / S Z

Muaji i Ndërgjegjësimit: Një thirrje nga brenda skuadrës

Shkruan: Nora Makolli

Kanë kaluar katër vite që kur u diagnostikova me kancer të gjirit, stadi 3C, e më pas me metastaza në boshtin kurrizor. E di mirë: është një sëmundje e rrezikshme, e frikshme, që fatkeqësisht po merr shumë jetë në mbarë botën. Në Kosovë, ndonëse jemi një popullsi e vogël, duket sikur vitet e fundit nuk ka mbetur familje pa u prekur nga kjo sëmundje.

Sipas statistikave, vitin e kaluar në Kosovë janë regjistruar mbi 2,000 raste të reja me kancer, prej të cilave 640 ishin me kancer të gjirit. Me një popullsi femërore prej rreth 850,000, kjo përfaqëson afërsisht 0.075% të grave që diagnostikohen çdo vit. Nëse trendi aktual vazhdon, në pesë vitet e ardhshme mund të kemi mbi 3000 raste të reja me kancer të gjirit. Kjo është arsyeja pse muaji tetor, si Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, duhet të jetë më shumë se simbolik.

Me të gjithë ata që po luftojnë këtë betejë, ndjehem si pjesë e një skuadre si në futbollin amerikan, ku secili prej nesh po përpiqet ta fitojë lojën. Disa po shënojnë touchdown, disa po goditen papritur nga skuadra e kancerit, e disa mbeten në offside. Vetëm pak prej nesh arrijnë finishin dhe fitojnë lojën. Por ne jemi bashkë, dhe kjo bashkësi na mban gjallë.

Dje isha në Klinikën e Onkologjisë dhe pashë rreth 200 anëtarë të skuadrës sime duke pritur për shërbime. Rradha pranë sportelit ishte e gjatë, ndërkohë që stafi priste me entuziazëm vizitën e Presidentes së Kosovës. Kamerat ishin vendosur, gazetarët në pritje, gjithçka gati. Nuk pata kohë të qëndroj për të parë si shkoi vizita, por do të kisha dashur të dija nëse ajo përfshiu edhe dhomat ku ne marrim terapitë, dhe nëse pati interes të vërtetë për të sëmurët.

Gjatë një viti e gjysmë që kam marrë terapi, kam parë përkushtim të jashtëzakonshëm nga stafi mjekësor. Motrat medicinale shpesh nuk kishin kohë as për drekë, duke na qëndruar pranë. Por sistemi? Ai na lodh. Marrja e një numri në letër, pritja te zyra e mjekut, mungesa e sistemit elektronik, pritja për shtrat, gjithçka me orë të tëra. Renovimet e fundit kanë përmirësuar pamjen, por jo funksionimin. Tani numrat merren nga aparat, por procedurat mbeten të njëjta.

Dje, një zonjë e moshuar po priste me mua. Ishte aq e zbehtë sa u frikësova se mos rrëzohej. Edhe pse edhe unë mezi qëndroja në këmbë nga dhimbja, ia lashë rendin. Po habitem si në shekullin XXI, pacientët me sëmundje të rënda duhet të presin në radhë si në kohën kur prisnim për bukë e qumësht.

Terapitë për metastaza në eshtra kushtojnë mbi 2,000 euro për një kuti. Me pagën mesatare në Kosovë rreth 400 euro, kjo është pesëfishi i të ardhurave mujore të një familjeje. Në vende të tjera, këto barna janë pjesë e listës esenciale. Në Kosovë, duhet të gjendemi vetë. Ne mund të jetojmë pa proteza të dhuruara, por pa terapinë e përshkruar, zor se mund të vazhdojmë.

Politikanët tanë duhet të ndihmojnë këtë sistem, ta lehtësojnë përvojën tonë të përditshme. Jo vetëm një donacion një herë në vit, por reforma të vërteta. Kjo klinikë ka nevojë për më shumë hapësirë, staf dhe barna. Tetori nuk duhet të jetë vetëm muaj i ndërgjegjësimit për kontrolle, por edhe muaj i ndërgjegjësimit për të ndihmuar Klinikën e Onkologjisë dhe për të përmirësuar kushtet për ne.

Për të gjithë anëtarët e skuadrës sime: suksese në këtë sfidë të rëndë. Uroj të keni shëndet dhe Zoti të jetë me ne në çdo hap të kësaj beteje.