75 Mall Live Search
13:42 / E Martë, 28 Tetor 2025 / S Z

Muharremi: Kurti është tepër larg ta fitojë shumicën, po humb si në kasino

Analisti politik, Shenoll Muharremi, ka komentuar situatën aktuale politike në vend, pas dështimit të Vetëvendosjes për të formuar Qeverinë ‘Kurti 3.

Ai ka vlerësuar se kjo parti është në një proces të rënies dhe nuk ka mundësi reale për të fituar shumicën në zgjedhjet e ardhshme.

“Kur nuk mundesh me formu shumicën dhe qeverinë me gjithë ato 400,000 vota e 42.3%, si mendon që mundesh me fitu në zgjedhje tjera, kur trendi yt i konfirmuar në nivel nacional është në rënie?”

“Ky është një problem i madh në kuptueshmërinë e Kurtit dhe LVV-së, sepse kjo parti është në trend të rënies në nivel nacional. Ka qenë 50.2% (kulmi në vitin 2021), prej nga ka fillu korrigjimi dhe tkurrja. Në zgjedhjet e 9 shkurtit ka qenë 42.3%, ndërsa vetëm disa muaj më vonë ka rënë në matje në 40%, e pastaj 37%.”

Edhe në rast se LVV arrin ta mbajë përkrahjen aktuale, analisti thotë se ajo mbetet larg shumicës.

“Por edhe nëse supozojmë që e ruan nivelin aktual të matjes së fundit në nivel nacional, përsëri LVV është larg, tepër larg, për me fitu shumicën apo 51%. Kjo është e pamundur sipas trendeve dhe shumicës së indikatorëve racional dhe të besueshëm.”

Madje, Muharremi ka përdorur një analogji, kur thotë se Kurti po humb.

“Kjo tregon një situatë sikur në kazino kur ti, për shkak të moskujdesit dhe moskalkulimit të rrezikut, po humb gjithçka që ke fituar (si ndodhi me 400,000 votat e 9 shkurtit), por përsëri po shpreson se do të fitosh. Ti ke hyrë tashmë në tunel ku duket se nuk ka kthim mbrapa.”

“Nga kjo analogji kuptohet që pritjet apo teoria që LVV me fitu shumicën në zgjedhjet e ardhshme janë krejtësisht joreale dhe të ndërtuara në kornizën e lakmisë (për pushtet absolut), ngjashëm si në fushatën e 9 shkurtit.”

Sipas tij, Kurti dhe partia e tij nuk kanë probleme me numrat, por me qasjen politike.

“Pra, aktualisht, përmes përkrahjes në zgjedhje nuk ka asnjë rrugë ku Kurti dhe LVV mundet me formu shumicën. Ai mundet me formu vetëm me partneritete dhe atë me partitë e mëdha të cilat nuk e dojnë si partner se nuk i besojnë më.”

“Pra, problemi i tij nuk janë zgjedhjet dhe numrat, sepse i pati ato 42.3%, por mentaliteti politik ku kërkon gabimisht ‘ose krejt ose asgjë’ dhe nuk pranon asgjë pos kontrollit dhe pushtetit absolut për vete. Albin Kurti dhe LVV nuk e kupton dhe pranon demokracinë parlamentare si dicka që duhet me nda pushtetin me tjerët dhe se pa i pasur 51% apo shumicën parlamentare, ske asgjë edhe pse je fitues kredibil me numra.”

“Prandaj, LVV nuk ka gjasa me fitu 51%, por me siguri do të vazhdojë rrugëtimin e saj të korrigjimit dhe tkurrjes. Ky trend në nivel nacional, me gjasë, do të vazhdojë drejt nivelit 30%-35%, e pastaj në rajonin 20%-25%, derisa LVV të ndalet, të reflektojë, të reformohet dhe të mendojë për të ardhmen e saj.”