Muharremi: Kurti po gabon që po i krahason bizneset vendore me kriminelët serbë në veri

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë, foli për bllokadën e rrugëve nga bizneset.
Ai tha se ka kaluar koha e barrikadave, teksa shtoi se ato janë hequr kudo ku kanë qenë.
“Koha e barrikadave ka kaluar. I kemi hequr kudo ku kanë qenë dhe nuk do të lejojmë të vendosen të reja”, u shpreh Kurti.
Ndërkaq, ndaj kësaj deklarate ka reaguar njohësi i zhvillimeve në vend, Shenoll Muharremi.
Ai tha se është e gabuar të krahasohen bizneset vendore me kriminelët serbë në veri.
“Kryeministri në detyrë po gabon kur po i krahason bizneset vendore me kriminelët serbë në veri. Një gjuhë e tillë është e papranueshme ndaj atyre që e ushqejnë dhe mbajnë gjallë Kosovën. Sulmi ndaj sektorit privat dhe ekonomisë së Kosovës është i paprecedent në historinë e Kosovës dhe Evropës demokratike”, tha Muharremi.
Duke u ndalur te çështja e energjisë elektrike për bizneset, të cilat është vendosur të dalin në treg të hapur me vendim të ZRRE-së, Muharremi ka thënë se sektori i energjisë është keqmenaxhuar.
“Ka dyshime të larta për abuzim, monnopole dhe fatura astronomike. Liberalizimi i tregut duhet të ndodhë me përgatitjet e duhura”.
“Nuk janë 1% por 50% e të punësuarve në sektor privat. Secili sulm ndaj bizneseve vendore është sulm ndaj të së tashmes dhe të së ardhmes së Kosovës dhe rrezikon sigurinë kombëtare”, tha Muharremi. /