23:50 / E Martë, 03 Gusht 2021 / OSH

Muhaxheri thotë se zjarri është vështirë të shuhet sonte pa KFOR-in

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se zjarri në disa fshatra të Rugovës po rrezikon jetën e qytetarëve të cilët po përpiqen të shuajnë zjarrin në përpjekje për të ruajtur shtëpitë e tyre.

“Për momentin jam te Maja e Kolmusës me kolonelin e FSK-së edhe një toger dhe po përpiqemi t’i largojmë pesë qytetarë që janë duke e shuar zjarrin duke mbrojtur shtëpitë dhe pronat e tyre. Është duke u bërë kërkesë që të largohen edhe ata, sepse mund të jenë të rrezikuara jetët e njerëzve. Primare është jeta e njerëzve. Normal që pasuria është e rëndësishme, por më e rëndësishme është që të shpëtohen jetët e njerëzve”.

“Për momentin ka filluar të shuhen zjarret por po frikësohemi se do të ketë sërish, sepse po fryn era dhe ka rrezik që zjarri që është ndaluar deri në një masë të caktuar të bartet në anën tjetër. Është rrezik që zjarri të dalë në anën tjetër të rrugës dhe të vazhdojë t’iu afrohet shtëpive”.

“Zjarrfikësit e Mitrovicës janë duke zbrazur edhe cisternat e fundit të ujit, derisa FSK-ja po siguron vendin”.

Ai, në Edicionin Special ka treguar se përafërsisht 60 hektarë tokë janë përfshirë nga zjarri.

“Në disa pjesë zjarri është ndalur, derisa në disa pjesë zjarri është aktiv. Pa ndihmën e KFOR-it dhe forca më të konsiderueshme të zjarrfikësve dhe sasi më të madhe të ujit është vështirë që të ndalet zjarri. Po kërkohet që të largohen disa banorë që me vetiniciativë po mundohen me e ndal zjarrin, derisa togeri po insiston që banorët të tërhiqen gjithsesi dhe shuarja e zjarrit të vazhdojë kur të krijohen më shumë forca”.