17:21 / E Hënë, 17 Prill 2023 / mp

Muja i quan Rukiqin e Çitakun injorantë: Investitorëve të huaj u keni kërkuar para

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka kritikuar Berat Rukiqin e LDK-së dhe Vlora Çitakun e PDK-së, për deklaratat që ai thotë se i kanë bërë duke e quajtur Kosovën si storje të papërfunduar.

“‘Kosova është storje e papërfunduar. Investitorët thonë se i përket Serbisë’, ‘Pse dikush duhet të investojë në një tokë të askujt?’ Këto deklarata i paskan bërë dy përfaqësues të rendit të stërvjetëruar: Berat Rukiqi nga LDK dhe Vlora Çitaku nga PDK”, ka shkruar ai në Facebook.

Muja ka shkruar se mund të imagjinohet se me çfarë investitorë kanë punuar këto dy parti.

Sipas tij, në kohën e tyre Kosova importonte rryme nga investitori Vuk Hamoviq dhe kontratat në KEK, ka thënë ai, ia besonin “investitorit” nga Serbia “14 Oktobar”, në dëm të kompanive perëndimore.

Muja ka shkruar se tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe në KEK investon “General Electric” nga SHBA-ja.

Sipas tij, investimet e huaja direkte janë trefishuar që nga koha kur ish-qeveritë nuk qeverisin.

“Neve investitorët po na thonë se arsyet që nuk vinin ishin mungesa e drejtësisë dhe haraçi. Kosova është storje e përfunduar! Kosova nuk është tokë e askujt injorantë! National Geographic ia paska kushtuar një artikull të gjatë Kosovës që ia vlen të lexohet.

Por çka vërejta e ma vrau syrin është që atëherë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Ruqiki, tash LDK, në vend se të flasë se pse duhet të investohet në Kosovë, ai në këtë artikull paska folur se si Kosova nuk ofron stabilitetin dhe parashikueshmërinë e nevojshme për investitorë të huaj. Hiç deklaratë më të mirë nuk paska dhënë as Vlora Çitaku, ish-ambasadore e Kosovës në SHBA, e cila theksin e paska vendosur të dyshimtë dhe kërcënimet nga Serbia me të cilat ballafaqohen investitorët e huaj, në vend se te veçoritë e tregut tonë për investime.

artikull fjala ‘investime’ përmendet vetëm dy herë. Në të dyja rastet qysh nuk është mirë me investu në Kosovë. Kur gjatë qeverisjes të tyre vinin investitorët e huaj, ju kërkonin para. Tash po ju thonë mos ejani hiq”, ka shkruar ai.