20:47 / E Mërkurë, 07 Dhjetor 2022 / AR

Mujka fillon punën në “Ibër- Lepenc”: E meritoj këtë pozitë, nuk më solli partia

Ish-kryetari i Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Faruk Mujka nga dje (6 dhjetor), ka nisur punën si Kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike “Ibër-Lepenc”.

Por emërimi i tij në këtë pozitë, bëri bujë të madhe. E gjithë kjo pasi që Mujka, është pjesë e partisë në pushtet. Por Mujka e mohon që partia pjesë e së cilës është, ia ka mundësuar marrjen e kësaj pozite. Mujka në një intervistë për “IndeksOnline”, thotë se partia nuk kishte gisht në këtë punë dhe se ai e ka merituar këtë post.

“Mendoj se këtë post sinqerisht e kam meritu. Kam apliku në konkurs kur është shpallur. Po të kishte dashur partia, ka mund të më emëroj më përpara U.D dhe pastaj të vazhdohet me konkurs. Mirëpo unë kam apliku në konkurs 13 muaj pas  përfundimit të zgjedhjeve lokale. Unë mendoj që edhe prezantimi im në intervistë, ka qenë i mirë . CV ime eksperienca e fituar gjatë këtyre viteve që e kanë bërë e kanë plotësuar një mozaik, me të cilin ballë hapur kam dal para bordit, para komisionit. Pas tërheqjes së kandidatit i cili ka dalë i pari në intervistë, atëherë unanimisht është vendosur për emërimin tim”, theksoi Mujku.

Mujka thotë se ai kurrë se ka fshehur që ka qenë pjesë e politikës. Ndërsa mohon zërat që kryeministri Kurti, po e shtrin ndikimin e tij dhe në Ndërmarrjet Publike.

“Unë prapë e them duke e njohur Albinin, nuk ma merr mendja që Albini lëshohet në këto nivele dhe tenton të shtrij ndikimin nëpër Ndërmarrje Publike. Mirëpo unë nuk mund të ia ndaloj askujt të mendoj një gjë të tillë. Unë nuk e kam fshehur asnjëherë që kam qenë pjesë e politikës. Ajo ka qenë shumë transparente. Mirëpo nuk do me thanë që tani ne duhet të vegjetojmë dhe të mos kontribuojmë më shumë, për atë çka kemi punuar deri sot. Dhe unë atë e shoh vazhdimësi të kontributit tim, për të mirën e vendit tim”, tha ai.

Mujka i cili që nga sot do ta menaxhoj këtë ndërmarrje, thotë se “Ibër- Lepenci”,  është një ndër ndërmarrjet me të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe se synim ka, që t’i qojë përpara projektet.

“Mendoj që “Ibër- Lepenci”,  është një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme, për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në zhvillimin ekonomik dhe në rrethanat politike në të cilat gjendemi. Unë e di që gjendja e Ndërmarrjes “Ibër- Lepenci” është relativisht e mirë. Mirëpo kjo nuk duhet të na vetëkënaq sepse kemi sfida të reja. Mbi të gjitha siç kam theksuar është kompletimi i tërë projekti “Iber Lepenci. Deri tani është përfunduar vetëm gjysma, pra kjo pjesa e Ibrit. Ndërsa ka mbetur pa përfunduar dhe pjesa e Lepencit. Tek me përfundimin e këtij sistemi, atëherë mundemi me thanë me plotë gojë funksionimi i sistemit Iber lepenc”, tha ai.

Mujka ndër të tjera thotë se ai deri tani ka dhënë kontributin e tij në politikë dhe se tashmë ka ardhur koha që përvojën e tij, ta bartë në menaxhimin e kësaj Ndërmarrje.

“Ma merr mendja që kontributin tim në pjesën e politikës e kam dhënë, me aq sa kam dit me mundësitë e mija, nuk jam kursyer në asnjë moment. Dhe mendoj se kam të arritura dhe në atë pjesë. Tash ka ardhur koha që eksperiencën e fituar edhe me politikë dhe si inxhinier i ndërtimit edhe si person që ka punu në kompani ndërtimore, mund ta bart këtu dhe që “Ibër- Lepenci” ta përdor eksperiencën time”, tha ai./IndeksOnline/