75 Mall Live Search
15:43 / E Martë, 20 Maj 2025 / H F

Mujka: Kërkuam ndërhyrjen e Policisë në Ujman për të mbrojtur infrastrukturën kombëtare

Sot, autoritetet kosovare kanë marrë nën kontroll të martën një ndërtesë buzë liqenit të Ujmanit në veri të vendit, operacion ky i cili u asistua nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Kjo ndërhyrje është bërë me kërkesë të ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc, e cila ka konstatuar se objekti në fjalë gjendet në tokën e saj dhe përbën pjesë të një infrastrukture kritike për sigurinë kombëtare.

Në një prononcim për IndeksOnline, kryeshefi ekzekutiv i Iber Lepencit, Faruk Mujka, ka sqaruar se pas sulmit të 29 nëntorit 2024, i cili ka dëmtuar rëndë kanalin kryesor të ujit, është rritur nevoja për kontroll të plotë institucional mbi objektet dhe asetet që ndodhen në këtë zonë.

“Duke qenë se Ibër-Lepenci është një infrastrukturë kritike për sigurinë kombëtare, është e domosdoshme që kjo zonë të jetë nën mbikëqyrjen e institucioneve të Kosovës. Ndërhyrja është bërë për të siguruar objektin, për të rivendosur rendin dhe për të mundësuar menaxhim efikas”, theksoi Mujka.

Ai shtoi se ndërmarrja ka kërkuar asistencën e Policisë së Kosovës për lirimin e pronës dhe marrjen nën kontroll të objektit.

Pavarësisht ndërhyrjes, reagimet politike nuk kanë munguar. Lista Serbe ka kërkuar ndërhyrjen e vendeve të Quint-it, duke ngritur shqetësime mbi veprimin. Megjithatë, drejtori Mujka ka nënvizuar se menaxhimi i situatës i takon ekskluzivisht institucioneve të Kosovës.

Vendimi i së martës është më i fundit në një sërë veprimesh të autoriteteve të Kosovës për t’i mbyllur institucionet paralele serbe në territorin kosovar./IndeksOnline/