Mulaj i LDK-së i quan praktikanë të përjetshëm qeveritarët: Rozeta Hajdari ka realizuar vetëm 4% të buxhetit!

Besim Mulaj i ka quajtur si praktikanë të përjetshëm qeverinë Kurti.
Këtë e ka arsyetuar në një raport të ministrisë së Tregtisë që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.
Kandidati për deputet i LDK-së ka thënë se ministria e Hajdarit ka realizuar vetëm 4% të buxhetit për investime kapitale për nëntë muajt e parë të vitit 2024.
“Praktikantët e përjetshëm të qeverisë!
LDK-ja gjithmonë e ka thënë që ministrat e VV-së janë praktikantë në qeveri, por fakti që kjo praktikë zgjati edhe pas katër vjetësh nuk do e kishte besuar askush. Sepse, pa besim s’ka ndryshim – dhe pa ndryshim, mbetemi në vendnumëro!
Në një vit të mbushur me sfida dhe shpresa për zhvillim ekonomik, një lajm tronditës ka dalë në pah: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, nën udhëheqjen e Rozeta Hajdarit, ka arritur një rekord të paimagjinueshëm – ka realizuar vetëm 4% të buxhetit për investime kapitale për nëntë muajt e parë të vitit 2024.
Të përkthyer në gjuhën e përditshme, kjo do të thotë që nëse ministria do të ishte një nxënës në shkollë, nota e saj do të ishte një katër i fortë – por jo për arritje, por për dështim!
Në një vend ku rrugët presin të ndërtohen, bizneset kërkojnë mbështetje, dhe infrastruktura ekonomike ka nevojë për përmirësime urgjente, ky nivel i ulët i realizimit të investimeve kapitale tingëllon si një skenar nga një komedi absurde.
Ndoshta duhen kërkuar justifikime të reja: mos ndoshta buxheti ishte aq “i rëndë” sa që askush nuk mundi ta “ngrinte”? Apo ndoshta investimet kapitale janë kthyer në një mit modern – të gjithë flasin për to, por askush nuk i sheh?
Nëse investimet kapitale do të ishin një maratonë, ministria jonë duket se ka zgjedhur të bëjë një shëtitje të qetë në park. Por le të mos i humbim shpresat, ndoshta tremujori i fundit i vitit do të sjellë një “sprint” të papritur”, shkruan Mulaj në reagim./Indeksonline/