75 Mall Live Search
12:56 / E Hënë, 27 Janar 2025 / S Z

Mulaj: Një qeveri praktikantësh bllokon rreth 400 biznese për shkak të paaftësisë!

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Besim Mulaj është takuar me disa përfaqësues të bizneseve, të cilët për shumë vite kanë pasur kontrata qiraje me Agjencinë Pyjore të Kosovës.

Mulaj ka thënë se kjo qeveri praktikantësh po i bllokon rreth 400 biznese, për shkak të paaftësisë.

“Me kalimin e afateve të këtyre kontratave, shumë prej tyre nuk po mund të rinovohen, duke sjellë në kaos dhe pasiguri për mbi 400 biznese. Arsyeja? Me miratimin e Ligjit për menaxhimin e pronës publike, kompetencat për rinovimin e këtyre kontratave i janë transferuar Njësisë për Menaxhimin e Pronës Publike – një njësi që ende nuk është krijuar, edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga hyrja në fuqi e ligjit. Për pasojë, Agjencia Pyjore nuk ka më autoritet për të vazhduar këto kontrata, ndërsa Njësia e re, që supozohet të merret me këtë proces, thjesht nuk ekziston. Kjo situatë absurde ka bllokuar veprimtarinë e mbi 400 bizneseve, të cilat kontribuojnë në ekonomi, krijojnë vende pune dhe mbështesin mijëra familje në Kosovë. Një qeveri që nuk është në gjendje të krijojë një njësi të re për më shumë se një vit, për të zgjidhur një problem kaq të rëndësishëm, nuk është asgjë më shumë se një qeveri praktikantesh! Paaftësia dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie janë duke dëmtuar bizneset, ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë Mulaj.

Sipas Mulajt me ndryshimet e reja dhe me qeverinë e LDK-së, ky problem do të zgjidhet që në muajin e parë të qeverisjes.

“ Nuk ka kohë për të humbur me eksperimente dhe vendime të pamatura. Bizneset e Kosovës meritojnë një qeveri që punon për ta dhe krijon siguri ligjore, jo kaos dhe bllokada. Pa besim, s’ka ndryshim”, ka thënë Mulaj.