Mulaj tregon zotimet e tij për gratë: Pa barazi gjinore, nuk ka shoqëri të përparuar!

Besim Mulaj, kandidat i LDK-së për deputet i ka dhënë disa premtime për gratë, nëse arrin të zgjidhet në Kuvend.
Ai ka thënë se pa barazi gjinore, nuk ka shoqëri të përparuar.
Mulaj si fillim ka thënë se do të angazhohet për modernizimin e legjislacionit për baraza gjinore.
“Përfshirjen e masave më të forta kundër diskriminimit.
Ndalimin e pabarazisë në vendin e punës.
Krijimin e kushteve më të favorshme për gratë në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe ekonomike”, ka deklaruar ai.
Ai po ashtu është zotuar se do të lehtësojë punësimin për gratë dhe se do t’i mbështesë gratë e vajzat në arsim.
Postimi i plotë:
Edhe pse Kosova ka arritur përparime ligjore dhe institucionale, barazia gjinore mbetet një sfidë thelbësore që ndikon në çdo aspekt të jetës sonë – sociale, ekonomike dhe politike. Gratë vazhdojnë të përballen me diskriminim në tregun e punës: paga më të ulëta për punë të njëjtë, mungesë të përfaqësimit në pozita drejtuese dhe vështirësi në qasjen në financa dhe prona.
Çka synojmë si deputetë të ardhshëm të Kosovës, angazhohemi për:
Modernizimin e legjislacionit për barazinë gjinore:
Përfshirjen e masave më të forta kundër diskriminimit.
Ndalimin e pabarazisë në vendin e punës.
Krijimin e kushteve më të favorshme për gratë në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe ekonomike.
Zbatimin efektiv të ligjeve ekzistuese:
Krijimin e mekanizmave mbikëqyrës dhe ndëshkues për shkelësit e të drejtave gjinore.
Forcimin e rolit të inspektoratit të punës dhe institucioneve përgjegjëse për të siguruar një trajtim të barabartë në punësim, avancim karrierash dhe paga.
Mbështetjen e vajzave dhe grave në arsim:
Ofrimin e bursave dhe programeve mentorimi për inkurajimin e pjesëmarrjes në shkencë, ekonomi, teknologji dhe drejtësi.
Promovimin e politikave që rrisin numrin e vajzave në shkollat profesionale, universitete dhe hulumtime akademike.
Lehtësimin e punësimit për gratë:
Ofrimin e incentivave për punëdhënësit që krijojnë mundësi të reja.
Rishikimin e politikave fiskale, përfshirë ulje taksash për bizneset që punësojnë gra, dhe krijimin e lehtësirave për nënat që rikthehen në tregun e punës pas periudhës së lehonisë.
Mbështetjen e bizneseve të udhëhequra nga gratë:
Krijimin e skemave financiare të posaçme për gratë sipërmarrëse.
Propozimin e fondeve të dedikuara për investime në startup-e dhe biznese të vogla, si dhe ofrimin e mbështetjes teknike dhe këshillimore për zhvillimin e inisiativave të reja.
Ky angazhim synon të ndërtojë një shoqëri më të drejtë dhe të zhvilluar, ku gratë dhe burrat kanë mundësi të barabarta për të kontribuar në ekonominë dhe jetën publike të vendit. Për të realizuar këtë vizion, na duhet mbështetja e të gjithë qytetarëve që besojnë në një Kosovë të drejtë, të barabartë dhe të zhvilluar.
Pa besim, nuk ka ndyshim!