13:55 / E Premte, 24 Shkurt 2023 / B O

Mundësi për reshje bore në disa vise të Kosovës mëngjesin e hershëm të së hënës

Temperaturat e larta dhe moti kryesisht stabil do të vazhdojnë deri të dielën, megjithatë pritet destabilizim gradual i motit që nga pasditja e sotme ku mund të ketë riga të dobëta, lokale shiu, por edhe fuqizim gradual i erërave.

Të shtunën priten erëra të fuqishme nga jugperëndimi, ndërsa të dielën nga juglindja ku do të ketë edhe gjasa për rrebeshe lokale shiu vetëm në disa rajone.

Të dielën pasdite ose në mbrëmje do të kemi një sistem të madh të vranësirave të shiut të cilat do të kushtëzojnë reshje të dendura shiu. Reshjet e shiut do të përfshijnë tërë territorin ku vende-vende priten reshje intensive shiu dhe po ashtu edhe rrebeshe lokale shiu të fuqishme me vetëtima dhe bubullimë.

Me depërtimin e frontit të ftohtë gjatë orëve të natës dhe ose orëve të hershme të mëngjesit të së hënës ka gjasa të mira që në shumë rajone të ketë edhe reshje bore, përpos viseve kodrinore-malore ku priten reshje të dendura bore. Reshje bore mund të ketë sidomos në veri dhe verilindje të Kosovës, por lokalisht edhe në vise tjera dhe normalisht nuk duhet pritur reshje bore në zonat më të ulëta të vendit.

Gjatë javës së re na pret mot i paqëndrueshëm dhe paksa më i ftohtë ku do të ketë gjasa për reshje të herëpashershme atmosferike./MeteoBallkan