Mundësohet puna praktike për nxënësit e Prishtinës në Ndërmarrjen Publike Banesore

Drejtoresha për Arsim në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu ka njoftuar për arritjen e marrëveshjes me të cilën nxënësit e shkollave profesionale në kryeqytet mund të bëjnë punë praktike në Ndërmarrjen Publike Banesore.
“Nxënësit e shkollave profesionale të kryeqytetit, “Gjin Gazulli”, “Hoxhë Kadri Prishtina” dhe “28 Nëntori”, tashmë kanë mundësi të kryejnë punë praktike pranë Ndërmarrjes Publike Banesore – NPB”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.
Kjo është bërë e mundur pas marrëveshjes mes Komunës dhe NPB-së.
“Sot, së bashku me Kryeshefin Ekzekutiv, z. Arton Berisha, nënshkruam marrëveshjet e bashkëpunimit përmes të cilave nxënësit do të kenë mundësinë të zbatojnë njohuritë teorike në praktikë, duke përfshirë: Projektimin e punimeve, prodhimin e materialeve, implementimin e projekteve në terren, dhe mbikëqyrjen e punimeve ndërtimore”, ka njoftuar ajo.
Mundësi të tilla i shtojnë vlerë arsimit profesional, duke i afruar nxënësit me realitetin e tregut të punës dhe duke forcuar lidhjen mes teorisë dhe praktikës, ka shtuar më tutje ajo./Indeksonline/