75 Mall Live Search
10:44 / E Hënë, 05 Janar 2026 / S Z

Mungesa e anesteziologëve dhe infermierëve, problem kronik në Mjekimin Intensiv

Mjekimi Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po përballet me mungesë të theksuar të anesteziologëve dhe infermierëve.

Kjo njësi e Klinikës së Anesteziologjisë, e cila pothuajse gjithmonë funksionon me kapacitet të plotë, vitin e kaluar trajtoi rreth 500 pacientë në gjendje të rënduar.

Shefi i Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK, Shaqir Uka, deklaron se nëntori 2025 ka qenë sfidues, pasi numri i pacientëve të pranuar ka shënuar rritje të trefishtë.

Njësia, e cila ka në dispozicion vetëm 21 shtretër, gjatë gjithë periudhës së vitit paraprak ka funksionuar me shfrytëzim prej 99 për qind.

“Mjekimi Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare disponon me 21 shtretër aktiv, të cilët në 99 për qind të kohës janë gjithmonë të zënë. Neve gjatë këtij viti, nga janari deri në këtë moment kur jemi duke biseduar, kemi pasur 495 pacientë të pranuar dhe të trajtuar në njësinë e Mjekimit Intensiv Qendror… Gjatë nëntorit të këtij viti, befasishëm kemi pasur 62 pacientë të pranuar në mjekimin intensiv, çka është trefishi i kapaciteteve tona. Në këto raste është shumë e vështirë të menaxhohen, pasi ata pacientë kanë nevojë për trajtim. Neve na është dashur të bëjmë një menaxhim të situatës me pacientët të cilët i kemi pasur… Kjo pastaj rëndohet edhe më tepër, kur kemi parasysh numrin e paktë të anesteziologëve që e disponon klinika jonë”, thotë Uka.

Sipas tij, numri i pacientëve të referuar në këtë klinikë mbetet pothuajse i pandryshuar nga viti në vit, ndërsa veçanti e vitit 2025 është gjendja e rënduar e pacientëve për trajtim.

Në Mjekimin Intensiv Qendror në QKUK nga janari deri në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar rreth 120 pacientë kanë vdekur, kryesisht nga lëndime të rënda në aksidente trafiku dhe rrëzime në vendin e punës, ndërsa rastet e vdekjeve nga arma e zjarrit shënuan rënie.

“Kanë qenë pacientë të cilët kanë pasur sëmundje të cilat kanë qenë të pamundshme me u menaxhuar nga aspekti mjekësor, lëndime shumë të rënda, dëmtime shumë të rënda, qoftë të indit trunor, shumica e tyre, lëndime në aksidentet e komunikacionit. Kemi pasur shumë këtë vit rrëzime nga lartësia të punëtorëve të cilët kanë humbur jetën për shkak të lëndimit që e kanë marrë në vendet e tyre të punës. Pastaj, janë lëndimet me armë zjarri, me lëndimet me armë të ftohta, të cilat fatmirësisht, po them fatmirësisht, janë në zvogëlim e sipër për çdo vit”, thotë Uka.

Ai thotë se për një funksion më të mirë në Mjekimin Intensiv nevojitet trefishim i numrit të stafit.

“Për momentin ne disponojmë me gjashtë ekipe, nga dy anesteziologë, të cilët kryejnë punën në mjekimin intensiv, gjegjësisht, mbajnë kujdestaritë 24-orësh në mjekimin intensiv. Kjo vështirësohet edhe më tepër, domethënë na mbetet neve që kujdestaritë t’i mbajmë në çdo të gjashtën ditë… Kjo, përveç lodhjes fizike, jashtëzakonisht shumë ka reperkusione të mëdha në aspektin emocional, psikik e të tjera… 06’37 Tashmë jemi në fazën kur kolegët e rinj janë në përfundim të specializimit. Pritet së shpejti të bëhet publik edhe konkursi për pranimin e tyre, dhe kjo sadopak do ta zbusë situatën përgjithësisht të rënduar në Klinikën e Anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv. Mirëpo, edhe me këtë numër të cilët do të pranohen tash, kjo mund ta zbusë pak situatën, por për të qenë plotësisht komod dhe për të kryer punë normale ishte dashur që numri i anesteziologëve të trefishohet nga numri të cilin ne e kemi tash për tash… Tani janë diku në Qendrën Klinike janë diku rreth 45-47 anesteziologë në total. Këtu te ne janë 12 janë gjashtë ekipe me nga dy anesteziologë”, thotë Uka.

Duke i konsideruar si heronj e kësaj klinike, Uka thotë se Mjekimi Intensiv Qendror lëngon edhe nga mungesa e infermierëve të cilët nuk janë të mjaftueshëm.

Ai thotë se kërkesat për shtimin e stafit infermieror janë vazhdimisht për 20-25 infermierë, por që zakonisht pranohen vetëm 4-5.

“Problematikë kronike, e cila vazhdon me vite të tëra, e pazgjidhur edhe më tutje, është mungesa e stafit të mesëm, po edhe stafit ndihmës, posaçërisht stafit të mesëm. Në standarde ish dashur që një infermier për shembull të ketë aktivitetin e vet punues me dy pacientë më së shumti, ose dy infermierë me tre pacientë. E neve shumicën e kohës një infermier duhet të kryejë punën e vet me tre pacientë, nganjëherë edhe me katër pacientë”, thekson Uka për KosovaPress.

Shefi i Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK, konsideron se nuk është e nevojshme rritja e kapaciteteve në këtë klinikë, por funksionalizimi i njësive të kujdesit intensiv në klinikat e tjera.

Sipas Ukës, mbi 30 për qind e pacientëve janë trajtuar në këtë klinikë për shkak të mungesës së njësive të tjera intensive.

“Realisht, nuk ishte dashur që kapacitetet tona të shtohen më tepër. Ishte dashur të aktivizohen njësitë intensive nëpër klinikat e tjera, në mënyrë që edhe Klinika e Neurologjisë të ketë mundësi t’i trajtojë pacientët të cilët marrin frymë me ventilator. Klinika e Infektives ka një njësi intensive, por ka pak shtretër, edhe ata hezitojnë të marrin një pacient i cili ka nevojë për trajtim me ventilator. Klinika Interne nuk ka asnjë njësi intensive dhe ne kemi shumë pacientë, diku rreth 18% pacientëve që ne i trajtojmë këtu janë pacientë të tyre, të cilët ishte dashur të marrin trajtim atje. Kështu, në përpjekjet tona në nivel të drejtorisë qendrore, nga ana e drejtorisë së Klinikës së Anesteziologjisë, janë të drejtuar në atë kuptim që të mund të funksionalizohen intensivet e tyre”, deklaron Uka.

Nga Mjekimi Intensiv Qendror thonë se janë të pajisur me aparaturë mjekësore bashkëkohore, përfshirë ventilatorë dhe pajisje për monitorim, të cilat janë fjala e fundit e teknologjisë mjekësore.

Edhe sa i takon furnizimit me barna dhe material mjekësore gjatë vitit 2025 kjo klinikë qëndroi mirë, ndonëse u theksuan se kishte mungesa të herëpashershme.