Mungesa e pjerrinave në një qendër të votimit, ankohet një votues në Deçan

Qendra më e madhe e votimit në Deçanit e cila ndodhet në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje (pjerrina) për të moshuarit dhe ata që kanë vështirësi në ecje. Ata duhet të ecin shkallëve për të arritur tek vendvotimi që duhet të votojnë.
Qytetari Met Kukalaj për shkak të problemit me ecje pati vështirësi derisa arriti tek vendvotimi në këtë qendër votimi.
Ndonëse pritshmëritë e tij ishin se do të ishte angazhuar ndonjë person për t’u dal në ndihmë personave me nevoja të veçanta, ai thotë se edhe kësaj herë një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Ne e kryem obligimin tonë qytetarë presim sikur deri tash problemi është se të diturit po i votojnë të paditurit nuk pash diçka speciale për njerëzit me aftësi të kufizuara, mbeta këmbë…është dashtë të paktën një njeri me qëndrua aty… nuk jam lajmëruar se kam menduar se do të kaloj mirë”, tha ai.
Lidhur me këtë shqetësim, menaxheri i Qendrës së Votimit “Vëllezërit Frashëri”, e cila është qendra më e madhe e votimit në Deçan, Hamit Qorraj tha se kjo shkollë ka infrastrukturë shkollore të viteve 70-ta. Ai tha se për këtë çështje i kanë njoftuar zyrtarët e KKZ-së.
“Kjo infrastrukturë shkollore është e viteve të 70-ta dhe e ka këtë konfirguracion të infrastrukturës kemi lajmëruar KKZ-në që kanë disa persona qe nëse ata lajmërohen tek ata kanë mundësi me i ndihmua”, tha ai.
Qytetarët e Republikës së Kosovës sot po votojnë për të zgjedhur kryetarët dhe këshilltarët e tyre komunal që do ti udhëheqin ne katër vitet e ardhshme.
Në garë për të parin e Deçanit janë Faton Selmanaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Jetmir Prekalla nga Partia Demokratike e Kosovës, Jeton Mushkolaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhënërinë e Kosovës, Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate, Shkumbin Demakuja nga Iniciativa Demokracia dhe Shefqet Tolaj nga Guxo.
Në komunën e Deçanit të drejtë vote kanë 43 mijë e 759 qytetarë prej tyre 41 mijë e 444 janë votues brenda në Kosovë dhe 2 mijë e 320 votues nga diaspora.
Votimi për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në ketë komunë organizohet në 14 qendra të votimit me gjithsej 50 vendvotime të rregullta dhe 1 vendvotim me kusht.
Në zgjedhjet e kaluara lokale garën për të parin e Deçanit e fitoi Bashkim Ramosaj nga AAK.