75 Mall Live Search
11:08 / E Hënë, 24 Qershor 2024 / k.v

Mungesa e raportimeve të sinjalizimeve, shkak i mos-publikimit të raportit vjetor nga APK-ja

Lëvizja FOL, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sinjalizuesve, ka mbajtur diskutimin “FOL Hapur” për rëndësinë, efektivitetin dhe sfidat në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, ku u theksua se numri i rasteve të raportimit të sinjalizimeve është shumë i vogël e njëra nga sfidat u cilësua te jetë te ndërmarrjet publike, për faktin se qëndrojnë jashtë domenit qeveritar.

Aty u tha se sfidë për sinjalizim është në sektorin privat, ndërsa e kundërta është në institucione publike.

Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Megi Demolli-Nimani, tha se sinjalizimi krijon klimë të përshtatshme dhe rrit përgjegjësinë e qytetarëve.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se sinjalizimi është i rëndësishëm për ta bërë punën më etike brenda dhe jashtë institucioneve, ndërsa veçoi faktin se shtimi i rasteve të raportimit të sinjalizuesve është shumë i vogël.

“Numri i sinjalizimeve nuk është i mirë edhe pse ka rritje, është shumë i ulet… të cilat nuk janë shumë por janë shumë më shumë për dallim nga vitet e kaluara. Në vitin 2022 kanë qenë 12 raste, këtë vit besojmë se do shkojë në rritje 50 për qind. Sfidë më e madhe është te ndërmarrjet publike, sepse janë të sektorit privat edhe pse ofrojnë shërbime në emër të publikut, këtu ka sfida më shumë se të institucionet”, tha ai.

Vesel Zhinipotoku nga Inspektorati i Punës, tha se nga eksperienca deri tash, ky ligj ka krijuar që të ketë mekanizma në krijimin e kompetencave në sektorin privat, në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të punësuarit.

“Inspektorati i Punës, jemi duke e vazhduar në mbrojtjen dhe promovimin që punëdhënësit të caktojnë zyrtaret kompetent në kuptimin që të punësuarit të kenë qasje, ku mund të adresojnë shkeljet”, tha ai.

Tutje shtoi, se Inspektorati i Punës është në fazën e krijimit të digjitalizimit, i cili pritet te ketë qasje pozitive ndaj punëtorit.

“Jemi në fazën e implementimit së sa punëdhënësit tanë po i zbatojnë mekanizmat që iu takojnë sipas këtij ligji. Krijimin një mekanizmi të tillë na ndihmon si institucione, ne marrim informata të përditshme për shkelje të të drejtave, krijimi i mekanizmit është një ndihmesë, për të kuptuar rëndësinë e të drejtave, jemi në fazën e krijimit të digjitalizimit ku do ta ngris nivelin e vetëdijes për të drejtat që duhet të mbrohen nga punëdhënësi”, tha ai Zhinipotoku.

Ndërsa, sa i përket, numrit të sinjalizimeve, në Inspektoratin e Punës, tha se me statistika nuk ka numra, megjithatë brenda ditës mund të jenë 20 deri në 30 sinjalizime.

“Brenda ditës 20-30 sinjalizime të jashtme që bëhen nga të punësuarit apo drejtpërdrejt qe bëhen më shkelje dhe të gjitha trajtohet me prioritet, shtylla kryesore është marrja e informatës nga sinjalizuesi”, tha Zhinipotoku.

Theksojmë se, Sinjalizimi është raportimi i parregullsive, shkeljeve, keqpërdorimeve ose cenimit të interesit publik në ambientin e punës, pavarësisht se a bëhet fjalë për sektorin publik apo privat.

Duke i raportuar keqpërdorimet dhe parregullsitë, sinjalizuesit ndihmojnë në zbulimin e veprimeve që dëmtojnë interesin publik, sigurinë, integritetin financiar dhe sundimin e ligjit.