16:30 / E Hënë, 17 Prill 2023 / S Z

Mungesa e SISH-it ngre dyshime për keqpërdorime

Kosova vazhdon të mos e ketë ende Sistemin Informativ Shëndetësor (SISH), i cili do t’i ketë informatat e detajuara për pacientët.  E mungesa e SISH-it, përveç që ia vështirëson punën mjekut dhe pacientit, po ashtu rrit dhe mundësinë për keqpërdorime me barna.

Madje dyshime për këtë kanë dhe vet mjekët të cilët punojnë në QKUK, e të cilët pohojnë se barnat të cilat po blihen e po mungojnë në klinika, po keqpërdorën.

Një burim brenda QKUK-së i ka thënë “IndeksOnline” se në mungesë së SISH-it, askush nuk e di se si po shfrytëzohen barnat në QKUK dhe se mundësitë për keqpërdorime janë më të mëdha. Madje thotë se për kaq vite nuk ka arritur të implementohet Sistemi Informativ Shëndetësor, pasi që dikush ka pasur interes, që ai të mos zbatohet dhe të ketë hapësira për keqpërdorime.

” Derisa nuk do të kemi një sistem informimit SISH që funksionalizohet, nuk do të ketë përmirësim. Sepse të hollat janë, barnat po blihen, si po shfrytëzohen ato askush nuk e di. Barnat po blihen në moment që nuk ka një vijë të kontrollit, të regjistrimit, të përcjelljes ku po shkojnë ato barna, sa po shkojnë, atëherë automatikisht është mjegull e mjaftueshme për keqpërdorim. Çdo herë dyshimi për mos implementim të SISH-it ka shku tek ata të cilët në të vërtetë kanë përfitime prej saj”, thotë ai.

Edhe deputeti i LDK-së Armend Zemaj, i cili është dhe anëtarë i Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, ka thënë për “IndeksOnline” se mungesa e SISH-it është një pengesë e madhe për avansim të sistemit shëndetësor në vend.

“Kjo është një pengesë e madhe për avansimin e shërbimeve shëndetësore dhe për vet ligjin për sigurimet shëndetësore . Dhe njëherit e vështirëson dhe vet punën e mjekut ose dëmton dhe informatat rreth pacientit”, ka thënë ai.

Ndërsa thotë se duhet të hetohen milionat e shpenzuar për SISH-in, i cili nuk është funksionalizuar.  Dhe se një mungesë e tillë sipas tij, mundëson dhe abuzimin me barna.

“Duhet të theksohet dhe hetohen milionat e shpenzuar dhe pse nuk kemi një funksionalizim të SISH-it. Dy vitet e kësaj qeverie nuk ka lëvizje pozitive. Kjo fatkeqësisht mundëson të gjithë ata që abuzojnë me barna ose abuzojnë me dhënien e shërbimeve fatkeqësisht,  shpesh herë janë raportuar dhe nuk janë të pakta”, tha ai.

Ndërsa thekson se mungesa e SISH-it e komplikon dhe punën e mjekut e po ashtu dhe e rendon jetën e pacientit.

“Është problem dhe derisa nuk ka shënime, nuk ka kartë të pacientit, ku me një klik mjeku familjar mund t’i ketë shënimet,  duhet të përballen me bartjen e gjithë dokumentacionit nga një mjek tek tjetri ose nga institucion te institucionin tjetër. Edhe me mungesë të informacionit të dhënies së terapisë, kjo e komplikon dhe punën e mjekut. Por fatkeqësisht më shumë e rëndon jetën e pacientit dhe koston e blerjes së barnave,  të cilat fatkeqësisht po mungojnë në bazë të madhe nga MSH-ja”, tha ai./Indeksonline/